Shkup, 26 nëntor – Në dekadën e fundit, Maqedonia e Veriut, si pjesa më e madhe e Evropës Juglindore, është përballur me sfida të konsiderueshme të migracionit. Vlerësimet tregojnë një rritje të vazhdueshme të numrit të emigrantëve, i cili sot vlerësohet të kalojë 30 përqind të popullsisë së përgjithshme, ose më shumë se 700.000 njerëz, raportoi “Deutsche Welle”.
Sipas të dhënave nga Qendra Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave të Migracionit nga dhjetori 2022, diaspora e RMV-së vlerësohet në 693.896 persona. Nga këta, 38.4 përqind janë të vendosur në vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani, Zvicër dhe Itali. Jashtë BE-së, komunitetet më të mëdha ekzistojnë në Australi, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.





