6.8 C
Skopje
Saturday, November 15, 2025

Llukarevska: Nuk ka rritje pagash

Deputetja e LSDM-së, Sanja Llukarevska, gjatë debatit komisionar, e vlerësoi buxhetin e propozuar si jokonsistent, joreal dhe drejtpërdrejt të dëmshëm për ekonominë dhe qytetarët.

Ajo theksoi se buxheti nuk përmban asnjë politikë për rritjen e pagave dhe as masa për t’u përballur me varfërinë në rritje.

“Çmimet rriten, qytetarët kanë më shumë borxhe, ndërsa të ardhurat u mbeten të njëjta. Në vend që të jetojnë më mirë, ata sërish paguajnë më shumë,” tha Lukarevska.

Ajo shtoi se Qeveria nuk ka asnjë strategji për rritjen e të ardhurave dhe as instrumente për të frenuar inflacionin, i cili vazhdon të jetë i lartë.

“Nuk ka zhvillim, nuk ka reforma, nuk ka paga më të larta, nuk ka masa për varfërinë – ka vetëm borxhim, shkurtim dhe shpenzime joproduktive. Ky është një buxhet vetëm në letër, pa kapacitet për të sjellë një jetë më të mirë,” deklaroi deputetja.

Llukarevska potencoi se buxheti i propozuar nga Qeveria nuk është zhvillimor, edhe pse kështu prezantohet para opinionit.

“Vetëm 9% e shpenzimeve totale parashikohen për investime kapitale, ndërsa plot 91% shkojnë në shpenzime të rregullta, joproduktive. Ndërsa ulja e shpenzimeve kapitale për 7 miliardë denarë tregon se kjo qeveri nuk ka kapacitet për zhvillim dhe as synim për të investuar në të ardhmen,” tha Llukarevska.

Ajo paralajmëroi se Qeveria po shkurton para pikërisht në sektorët ku investimet janë më të domosdoshme:
– në mjedisin jetësor, ku ka ulje prej 14,1%, gjë që është e rrezikshme në kushte të ndotjes së ajrit dhe mungesës së infrastrukturës për ujërat e zeza;
– në drejtësi, ku ulja arrin 48,9% në programin për sundimin e ligjit, në kundërshtim me rekomandimet e BE-së;
– në energjitikë, ku nuk janë zbatuar reformat e nevojshme;
– në arsim dhe shkencë, ku ka ulje serioze ndërkohë që shkollat nuk kanë tekste as resurse të domosdoshme.

Llukarevska theksoi se Qeveria planifikon të marrë borxh të ri në vlerë prej 1.7 miliardë euro, prej të cilave:
– 950 milionë euro përmes euroobligacionit,
– 350 milionë euro nga burime të huaja,
– 400 milionë euro nga tregu vendor.

“Borxhi publik do ta kalojë nivelin 62%, të cilin institucionet ndërkombëtare e vlerësojnë si të rrezikshëm për një ekonomi si kjo jonë. Qeveria po e shtyn shtetin drejt paqëndrueshmërisë financiare,” theksoi Llukarevska.

Ajo përmendi edhe vërejtjet e Komisionit Evropian, të cilat – siç tha – janë injoruar plotësisht.

“Komisioni Evropian ka treguar qartë: politika joreale, konsolidim fiskal i shtyrë, investime vetëm në letër, realizim i dobët i projekteve kapitale dhe shpenzime joproduktive. Në vend që të korrigjojë këto dobësi, Qeveria i thellon edhe më shumë,” përfundoi Llukarevska.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit