Bashkëshortja e këngëtarit të ndjerë Andrej Gjorgjeski, Natalia Gjorgjeska, sot iu drejtua Parlamentit, duke kërkuar zbardhjen e tragjedisë në kabaretë “Puls” në Koçan. Ajo kërkoi që deputetët të nisin një debat mbikëqyrës dhe një Komision të Veçantë Hetimor për të zbuluar gabimet, vonesat e institucioneve dhe përgjegjësitë.
Gjorgjeska theksoi se familjet e viktimave kërkojnë të vërtetën institucionale dhe masa që të parandalojnë tragjedi të ngjashme.
Ajo tha se familjet mbeten me dyshimin se e vërteta po fshihet dhe kërkojnë jo vetëm drejtësi ligjore, por edhe vendime njerëzore dhe morale.
“Ne nuk kërkojmë ngushëllim, për fat të keq ai nuk na kthen të dashurit tanë dhe nuk mund të na fshijë dhimbjen. Kërkojmë të vërtetën institucionale, një proces të drejtë dhe garanci që asnjë familje të mos zgjohet në natën që ne e përjetuam. Është detyra juaj të mbani të sigurt publikun dhe të gjithë qytetarët,” – u drejtua Gjorgjeska deputetëve.
Pas fjalimit, marshimi “Marsh për engjëjt” filloi nga Sheshi Maqedonia drejt Gjykatës Themelore të Shkupit, me pankarta dhe thirrje “Drejtësi për Koçan”, katër ditë para fillimit të gjyqit.





