13.8 C
Skopje
Saturday, November 15, 2025

Maqedonia dhe Hungaria fuqizuan bashkëpunimin strategjik energjetik

Mbledhja e pestë e Komitetit të Përzier për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet Maqedonisë dhe Hungarisë solli dimension të ri të bashkëpunimit dypalësh energjetik, duke theksuar rëndësinë e qëndrueshmërisë rajonale dhe sigurisë në furnizimin me energji, informojnë nga Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale.

Një delegacion i Ministrisë së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, i udhëhequr nga sekretari shtetëror Goran Jovanovski, mori pjesë në seancën e Komitetit të Përzier, në të cilën, siç thuhet në kumtesë, u konfirmuan prioritetet dhe angazhimet e përbashkëta strategjike në sektorin e energjetikës. Grupet e punës së ekspertëve nga të dy ministritë e Energjetikës koordinuan pikat strategjike që do të avancojnë infrastrukturën energjetike, efikasitetin dhe inovacionin.

Nënshkrimi i protokollit i cili i definon edhe qëllimet dhe aktivitetet e përbashkëta energjetike, u mbajt si akt final në seancën e Komitetit, i cili përfshiu shumë dikastere, me qëllim që të nxitet qëndrueshmëri rajonale dhe siguri energjetike.

Mbledhja e Komitetit të Përzier e konfirmoi përkushtimin strategjik të të dyja vendeve për fuqizimin e qëndrueshmërisë energjetike rajonale.

“Bashkëpunimi në fushën e energjetikës mbetet shtyllë kyçe e marrëdhënieve tona. Ne riafirmuam rëndësinë e furnizimit të pandërprerë me gaz natyror, mbështetjen për projektet e infrastrukturës që rrisin sigurinë dhe qëndrueshmërinë e sistemeve tona energjetike, duke pranuar se sigurimi i një të ardhmeje të sigurt dhe të qëndrueshme energjetike është përgjegjësi e përbashkët”, theksoi sekretari shtetëror Jovanovski.

Jovanovski dhe delegacioni Maqedonisë së Veriut, siç thuhet në kumtesë, zhvilluan gjithashtu takime dypalëshe me kryetarin e Komitetit të Përzier, Petar Staraj, si dhe me Petar Holica, zëvendëssekretar shtetëror i Ministrisë së Energjetikës së Hungarisë, në të cilat ata forcuan angazhimin e përbashkët për zhvillimin e infrastrukturës, përmirësimin e efikasitetit energjetik dhe modernizimin e sistemeve të prodhimit të energjisë elektrike.

“Shkëmbimi i praktikave të mira dhe ekspertizës në funksionimin e tregut të energjisë elektrike është thelbësor. Jemi të inkurajuar nga progresi në dialogun teknik mbi energjinë gjeotermale. Modernizimi i KEM Manastir, me fokus në sistemet e ftohjes së thatë ose hibride, është një tjetër fushë ku bashkëpunimi ynë mund të sjellë përfitime reale. Bashkëpunimi i thelluar midis HUPX dhe MEMO do të lehtësojë më tej integrimin e tregut, shkëmbimin e të dhënave dhe zhvillimin e kapaciteteve, duke promovuar funksionimin transparent dhe efikas të tregut të energjisë elektrike në rajonin tonë”, theksoi Jovanovski.

Nga Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale thonë se mbledhja tregoi qartë se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve nuk kufizohet vetëm në nënshkrimin e protokolleve. “Ai bazohet në besim, ekspertizë dhe vizion për të ardhme të qëndrueshme energjetike, e cila do të mundësojë siguri dhe prosperitet për gjithë rajonin”, bëhet e ditur në kumtesë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit