15.8 C
Skopje
Saturday, November 15, 2025

Raporti i Komisionit Evropian – sinjal alarmi për ngecjen e Maqedonisë së Veriut në rrugën evropiane

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin e thellë për vlerësimin tepër negativ që Komisioni Evropian i ka dhënë Maqedonisë së Veriut në raportin e tij të fundit për vitin 2025. Ky raport, i përfshirë në Paketën e Zgjerimit, paraqet një nga vlerësimet më të dobëta që vendi ynë ka marrë në dhjetë vitet e fundit.
Ai është një pasqyrë e qartë e stagnimit institucional, e mungesës së reformave dhe e mungesës së vullnetit politik për ta çuar vendin përpara në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian.
Komisioni Evropian ka folur me një gjuhë të qartë dhe pa ekuivok. Termat që përdoren në raport: “pa progres”, “progres i kufizuar”, “nuk u morën masa” dhe “zbatimi mbetet i dobët”, përbëjnë një diagnostikim të rëndë të gjendjes së brendshme të shtetit.
Këto nuk janë interpretime politike, por vlerësime zyrtare nga vetë Bashkimi Evropian. Mesazhi është i qartë: Maqedonia e Veriut po ngec dhe po humb terren në raport me vendet e tjera të rajonit.
Në qendër të problemit qëndron dështimi i qeverisë për të përmbushur kushtet themelore të hapjes së negociatave, përfshirë klasterin e parë që lidhet me sundimin e ligjit dhe institucionet e drejtësisë. Përkundër viteve të tëra zotimesh, procesi mbetet në vendnumëro. Në vend që të ndërtohet moment përpara, shohim mungesë totale të koordinimit, paaftësi menaxhuese dhe mungesë të vullnetit për reforma të vërteta.
Një ndër pikat më kritike që thekson raporti është dështimi për të realizuar ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht i qartë i vendosur nga Këshilli Evropian. Komisioni nënvizon se nuk është bërë asnjë përpjekje për miratimin e tyre.
Kjo nuk është thjesht një vonesë teknike, kjo është shkelje e një zotimi ndërkombëtar dhe dëmton seriozisht kredibilitetin e shtetit para partnerëve tanë evropianë.
Po aq shqetësuese është edhe gjendja në sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Komisioni konstaton se nuk ka pasur asnjë progres në këto fusha thelbësore.
Korrupsioni mbetet i përhapur, ndërsa ndikimi politik në sistemin e drejtësisë vazhdon të jetë realitet i përditshëm. Këto janë arsye të drejtpërdrejta pse Maqedonia e Veriut nuk po ecën përpara në procesin e integrimit evropian.
Edhe reforma e administratës publike, e cila duhej të ishte një nga shtyllat e modernizimit institucional, mbetet vetëm në letër. Komisioni thekson se zbatimi praktik mungon, ndërsa administrata vazhdon të jetë e politizuar, jo meritokratike dhe pa standarde evropiane të efikasitetit.
Në këtë gjendje, është e pamundur që vendi të ndërtojë kapacitete për t’u bërë pjesë funksionale e familjes evropiane.
Në fushën e demokracisë dhe institucioneve, raporti është po aq kritik. Vendi nuk ka adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias për integritetin zgjedhor, transparencën e institucioneve dhe funksionimin demokratik të Kuvendit. Në vend të forcimit të institucioneve, shohim një dobësim të tyre dhe një politizim të thelluar të proceseve.
Komisioni vëren gjithashtu mungesë të progresit në fushën e të drejtave themelore dhe lirisë së shprehjes.
Kushtet në burgje mbeten të papranueshme, ligjet për të drejtat e njeriut nuk zbatohen plotësisht, ndërsa gazetarët vazhdojnë të punojnë në një klimë pasigurie.
Kjo tregon se vlerat bazë evropiane nuk janë ende të rrënjosura në sistemin tonë institucional.
Edhe në aspektin ekonomik, raporti flet për një realitet të zymtë: inflacion i lartë, deficite të zgjeruara dhe konkurrueshmëri të ulët. Qeveria nuk po arrin të shfrytëzojë në mënyrë efektive fondet e Bashkimit Evropian — një humbje e drejtpërdrejtë për qytetarët, për ekonominë dhe për zhvillimin e vendit. Ndërkohë që shtetet e tjera të rajonit përparojnë, Maqedonia e Veriut mbetet prapa edhe në përdorimin e instrumenteve financiare që ofron BE-ja.
Të gjitha këto konstatime e vendosin Maqedoninë e Veriut në një pozicion alarmues. Ndërsa Shqipëria, Mali i Zi, Moldavia dhe Ukraina po vlerësohen për progres të matshëm, Maqedonia e Veriut po humb terren dhe besueshmëri. Nëse kjo qasje vazhdon, vendi rrezikon të mbetet jashtë valës së re të zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Raporti i Komisionit Evropian është një sinjal alarmi që duhet të zgjojë ndërgjegjen politike dhe institucionale në vend. Nuk mjaftojnë më deklaratat dhe retorika; kërkohet veprim konkret, përgjegjësi dhe vullnet i sinqertë për reforma të vërteta.
Bashkimi Demokratik për Integrim beson se integrimi evropian nuk është një slogan politik, por një obligim kombëtar dhe strategjik.
Ne kemi qenë dhe do të mbetemi promotori kryesor i këtij procesi, sepse e dimë se e ardhmja e vendit, pa mëdyshje, është në Bashkimin Evropian.
BDI do të vazhdojë të jetë zëri i përgjegjshëm që kërkon llogaridhënie, transparencë dhe reformë.
Ne do të vazhdojmë të mbrojmë interesin evropian të qytetarëve tanë, sepse integrimi nuk ka alternativë.
Rruga evropiane është e vetmja rrugë që garanton demokraci, drejtësi dhe zhvillim për të gjithë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit