Qytetarëve do t’u ndalohet të hedhin mbeturina në kontejnerë nga ora 22:00 deri në ora 06:00 të mëngjesit. Për mosrespektimin e këtij rregulli do të shqiptohet gjobë prej 50 eurosh.
Sipas autoriteteve, me këtë ndalim kontejnerët do të zbrazen më efikas dhe nuk do të krijohen deponi rreth tyre.
“Këtë praktikë e kam parë në Stamboll, ku ishte e lejuar hedhja e mbeturinave vetëm 15 minuta para orës 5 të mëngjesit. Në Tokio, gjithashtu, për secilin kamion që mbledh lloje të ndryshme të mbeturinave ka një orar të caktuar se kur nxirren dhe kur mblidhen. Shpresoj që kjo praktikë të përmirësohet edhe më shumë kur të vendosen kontejnerë të ndryshëm për selektim”, deklaroi Dame Dimitrovski, kryetar i Këshillit të Qytetit të Shkupit.
Grupi i këshilltarëve të partisë Levica e cilësoi propozimin si skandaloz.





