Shkup, 14 nëntor – Propozimi i Buxhetit për vitin 2026 konfirmon angazhimin e Qeverisë për stabilitet, parashikueshmëri dhe menaxhim të përgjegjshëm të financave publike. Ky buxhet nuk është vetëm dokument me numra dhe tabela – është mesazh ekonomik për rritje, investime dhe siguri për qytetarët, kompanitë dhe institucionet.
Këtë e theksoi Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në ekspozen e saj mbi Propozimin e Buxhetit për vitin 2026 para Komisionit të Financave dhe Buxhetit në Kuvend.
Ministrja theksoi se me buxhetin vazhdon strategjia për shfrytëzimin racional dhe të disiplinuar të mjeteve publike, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe përmirësimin e standardit të jetesës.
“Buxheti i vitit 2026 është dëshmi se mund të menaxhojmë me zgjuarsi, disiplinë dhe vizion, edhe në kohë të sfidave globale. Me këtë dokument, Qeveria përforcon besimin në institucione, mbështet rolin e sektorit privat si nxitës i rritjes ekonomike dhe krijon kushte për intensifikimin e investimeve vendore dhe të huaja”, tha ministrja, duke shtuar se me Propozimin e Buxhetit të vitit 2026, Qeveria ruan qëndrueshmërinë në politikat ekonomike dhe vazhdimësinë e Strategjisë fiskale 2026–2030.
“Dhe ajo që është më e rëndësishme për këtë qeveri është që nuk flasim shumë, por përmbushim premtimet. Premtuam konsolidim gradual fiskal, si për qytetarët ashtu edhe për institucionet financiare ndërkombëtare, dhe po e mbajmë premtimin tonë”, theksoi Dimitrieska Koçoska.
Sipas Propozimit të Buxhetit, në vitin 2026 ekonomia pritet të përshpejtohet me rritje reale të PBB-së prej 3.8%, e udhëhequr nga kërkesa e brendshme. Nxitësit kryesor do të jenë investimet bruto, si rezultat i zbatimit më intensiv të projekteve infrastrukturore, si dhe investimet në energji, hekurudha, bujqësi, arsim dhe mbrojtje shëndetësore.
Konsumi privat projektohet të rritet për 2.6%, konsumi publik do të mbetet i moderuar, me rritje prej 1.4% në drejtim të disiplinës fiskale, ndërsa inflacioni do të stabilizohet në rreth 2.5%, në kushte çmimesh të qëndrueshme në tregjet ndërkombëtare.
Trendet pozitive do të reflektohen edhe në tregun e punës – pritet rritje e punësimit dhe rritje e pagës mesatare neto për 6.5%, si rezultat i hapjes së kapaciteteve të reja të prodhimit, zgjerimit të atyre ekzistuese, si dhe masave dhe programeve aktive të punësimit të zbatuara nga Qeveria.
“Në përgjithësi, projeksionet për vitin 2026 tregojnë vazhdimësinë e stabilitetit dhe rritjes ekonomike, bazuar në politika fiskale të përgjegjshme, investime në infrastrukturë dhe kapital njerëzor, si dhe stimulimin e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë vendore”, tha ministrja.
Siç theksoi ministrja, Propozimi i Buxhetit i kushton rëndësi të veçantë arkëtimit më të mirë të të ardhurave vetanake nga shfrytëzuesit buxhetorë, shfrytëzim racional të mjeteve publike, si dhe planifikim në kohë dhe real të shpenzimeve kapitale. Sistemi i subvencioneve dhe transfertave sociale do të ridizajnohet me kritere më të rrepta për të siguruar shpërndarje të shpejtë, ndërsa disiplina fiskale, transparenca dhe dixhitalizimi i proceseve do të sigurojnë shërbime publike më efikase dhe me cilësi më të lartë.
“Të hyrat e përgjitshme të Buxhetit për vitin 2026 janë planifikuar në nivel prej 374.9 miliardë denarëve, ndërsa ana e të ardhurave është projektuar me kujdes për të siguruar kornizë të qëndrueshme financiare në kushtet e pasigurisë globale. Shpenzimet janë planifikuar në nivel prej 414.2 miliardë denarëve dhe synojnë sigurimin e funksionimit të qëndrueshëm të shërbimeve publike, modernizimin e infrastrukturës, përmirësimin e kushteve në mbrojtjen shëndetësore, arsim dhe mbrojtjen sociale, si dhe vazhdimësinë e investimeve publike që krijojnë efekte ekonomike afatgjata.
Deficiti buxhetor është projektuar në vlerë absolute prej 39.2 miliardë denarëve ose në nivel prej 3.5% të PBB-së së planifikuar, që paraqet rënie prej 0.5 pikësh përqindjeje krahasuar me vitin 2025. Në këtë mënyrë, vazhdojmë të zbatojmë disiplinë të rreptë fiskale”, theksoi ministrja dhe potencoi se rritjet e pritura të reviduara ndaj rritjes së PBB-së vijnë si rrjedhojë e drejtpërdrejt e klimës së përmirësuar ekonomike, rritjes së besimit të investitorëve dhe përforcimit të aktivitetit të investimeve publike.
Sipas Propozimit, shpenzimet për pagesën e pagave janë 52.6 miliardë denarë, që është rreth 3 miliardë denarë më shumë se në vitin 2025. Shpenzimet për mallra dhe shërbime janë planifikuar në 27.9 miliardë denarë, me rënie minimale prej 0.5% krahasuar me vitin e kaluar. Për pagesën e pensioneve janë siguruar 116.8 miliardë denarë, duke përfshirë rritjen për vitin 2026, sipas vendimeve ligjore. Janë siguruar 12 miliardë denarë për pagesën e kompensimeve të mbrojtjes sociale për kategoritë më të ndjeshme.
Për masa dhe politika aktive të punësimit, të cilat përfshijnë krijimin e programeve për vende të reja pune, mbështetje për të rinjtë, personat me aftësi të kufizuara dhe përfituesit e ndihmës minimale të garantuara, janë parashikuar 2.6 miliardë denarë.
“Investimet kapitale, në vlerë prej 40.2 miliardë denarësh, përfshijnë projektet kyçe të transportit, energjitikës, arsimit dhe infrastukturës shëndetësore. Fokusi i Qeverisë është të sigurojë ritëm të përshpejtuar të zbatimit, me qëllim modernizimin e vendit dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët dhe ekonominë”, tha ministrja Dimitrieska-Koçoska.
Lidhur me huamarrjen, ministrja theksoi se në vitin 2026 pritet shlyerje në kohë dhe e plotë e detyrimeve me vlerë prej 74.8 miliardë denarëve, ndërsa politika e ministrisë mbetet menaxhimi i qëndrueshëm i borxhit publik dhe sigurimi i likuiditetit të mjaftueshëm gjatë gjithë vitit.
Për financimin e deficitit është planifikuar huazim në tregjet e brendshme dhe të jashtme.
“Propozimi i Buxhetit për vitin 2026 është edhe provë se kur premton diçka, duhet ta realizosh nëse dëshiron të identifikohesh si qeveri dhe partner serioz i komunitetit ndërkombëtar. Çdo denar i mjeteve publike është planifikuar për të siguruar efekt maksimal për qytetarët dhe ekonominë, duke respektuar në mënyrë strikte kufijtë buxhetorë dhe duke u përshtatur gradualisht me rregullin fiskal prej 3%. Qëllimi ynë është i qartë: përmes politikave dhe masave të miratuara për konsolidimin fiskal, të ulim deficitin buxhetor, të kontrollojmë borxhin publik dhe të sigurojmë stabilitet fiskal afatgjatë, i cili është themeli për rritje ekonomike dhe standard më të mirë jetese për të gjithë qytetarët”, përfundoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në fillim të debatit në Komisionin e Financave dhe Buxhetit.





