7.8 C
Skopje
Friday, November 14, 2025

Stilisti Altin Tila prezanton ekspozitën ‘Haute Couture’

Stilisti i njohur Altin Tila ka çelur pranë ish-kinema “Agimit” në Tiranë ekspozitën e tij të dytë Haute Couture, nën kujdesin e brandit ‘Rawmode Official’, duke sjellë para publikut një përmbledhje të veçantë të punës së tij shumëvjeçare në fushën e modës dhe artizanatit.

Pas suksesit të ekspozitës së parë të mbajtur në qershor, ku u prezantua rreth 30 për qind e “Arkivit” të koleksionit, kjo ekspozitë e dytë paraqet pjesën tjetër të këtij materiali të pasur, që përmbledh shumë vite pune “underground” dhe bashkëpunime me rrobaqepëse artizanale.

Rreth 50-60 për qind e veshjeve të ekspozuara janë punime handmade, që dëshmojnë mjeshtërinë dhe përkushtimin e autorit.

Në rrëfimin e tij, Tila tregon se frymëzimi i këtij koleksioni lidhet ngushtë me kujtimet e fëmijërisë dhe pasionin e hershëm për modën.

“Gjithmonë kam qenë i ndjeshëm ndaj modës dhe kam modifikuar veshje që në moshë të vogël. Kam realizuar kërkime, hulumtime dhe projekte si ‘Rikrijo Traditën’, ku arti, muzika dhe kostumografia ndërthuren për të paraqitur sot pjesën tjetër të ‘Arkivit’,” shprehet stilisti.

Ekspozita përbën një atribut dhe falënderim për artizanët, si dhe një mesazh për të rinjtë, për t’u frymëzuar nga puna dhe kontributi i brezave të mëparshëm, duke ruajtur e përcjellë më tej zanatet tradicionale.

Konceptuar si një atelie artistike, ekspozita ofron gjithashtu demonstrime live të procesit të dekorimit, të shoqëruara me performanca të artistëve të rinj, të veshur me krijime të brandit Raëmode.

Ekspozita ndahet në dy kategori kryesore: Veshje vintage, të ripropozuara dhe rikonceptuara në mënyrë unike dhe krijime origjinale, të ndara në utility garments dhe veshje skenike (kostumografi).

Në koleksion paraqiten që nga këmisha dhe xhaketa të përditshme, deri te kostumet artistike për skenë. Stilisti thekson gjithashtu se gjatë viteve ka sjellë risi në modë me modele të reja në proces patentimi, duke e kthyer ekspozitën në një dëshmi të evolucionit të krijimtarisë së tij artistike.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit