7.8 C
Skopje
Friday, November 14, 2025

Thirrje për ndërgjegjësim ndaj kancerit të gjirit, ‘Dielli i Ditës Tjetër’ ndriçon fasadën e Muzeut Historik Kombëtar

Në zemër të Tiranës, në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, artistja Blerta Kambo sjell ndërhyrjen artistike “Dielli i Ditës Tjetër”, një gjest simbolik që ndërthur trashëgiminë kulturore me ndërgjegjësimin shëndetësor, duke e kthyer një ikonë kombëtare në një mesazh solidariteti, guximi dhe shprese.

Mozaiku monumental “Shqipëria”, me sipërfaqe 565 m², është një krijim qe tejkalon çdo epokë dhe aktualisht kthehet në një vepër ku historia dhe arti bashkëkohor vendosen pranë e pranë, e trashëgimia të shndërrohet në infrastrukturë të vetëreflektimit.

Në qendër të mozaikut qëndron gruaja me xhubletë, brezin me shqiponjën e Skënderbeut, e cila ngre duart lart, fitimtare, si metaforë e Shqipërisë që ecën përpara.

Por epokat ndryshojnë, dhe me to, mënyra se si shohim simbolet tona.

Në “Dielli i Ditës Tjetër”, kjo figurë e njohur e mozaikut rishfaqet me kokë të qethur dhe me një shenjë në gjoksin e djathtë, si shenjë solidariteti me të gjitha gratë që përballen ose kanë mbijetuar nga kanceri i gjirit.

 

 

Ky gjest artistik e zhvendos heroinën mitike të mozaikut në figurën e gruas reale bashkëkohore, të ndjeshme, të plagosur, por të fortë dhe në lëvizje përpara. Një vepër që flet për jetën, forcën dhe rilindjen si pjesë e kujtesës dhe ndergjegjesimit kolektiv.

E realizuar me të njëjtat tesera dhe mjeshtëri si restaurimi origjinal, ndërhyrja vendoset përkohësisht mbi mozaik, pa e dëmtuar atë, si një shtresë drite.

Ndërhyrja do të qëndrojë e dukshme në fasadën e muzeut, si dedikim për 1 në 12 gra që diagnostikohen me kancer gjiri, një kujtesë e përbashkët dhe një thirrje për ndërgjegjësim, solidaritet dhe shpresë.

“Dielli i Ditës Tjetër” është realizuar me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sporteve dhe të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me YWCA Shqipëri. /atsh/ KultPlus.com

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit