Dy kompani të mëdha të huaja – Aptiv dhe Dura Automotive Systems, të cilat po i mbyllin investimet e tyre në vend, sipas kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, janë një dëshmi tjetër e dështimit të Qeverisë së Hristijan Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së për të ruajtur besimin e investitorëve dhe për të sjellë investime të reja. Sipas tij, në vend që të zgjerohet kapaciteti dhe të krijohen vende të reja pune, vendi përballet me mbyllje të objekteve që kanë funksionuar me sukses për vite në zonat industriale.
„Qeveria e kryeministrit Mickoski dhe VMRO-DPMNE jo vetëm që nuk arriti të sjellë investime të reja të huaja siç kishin paralajmëruar, por fatkeqësisht po mbyllen edhe ato që kanë punuar këtu për vite me radhë. Tashmë kemi dëgjuar se dy kompani të mëdha që kanë funksionuar në zonat industriale po paralajmërojnë mbylljen e fabrikave në vendin tonë: kompania Aptiv, e cila që nga viti 2016 ka punuar këtu me 500 punonjës, dhe Dura Automotive Systems, e cila duhej të realizonte atë që kishte paralajmëruar më parë – një investim të ri, por fatkeqësisht tani nuk ndodhi. Pra, nuk ka zgjerim, nuk ka vende pune; kjo kompani ka paralajmëruar ndalimin e investimit“, tha Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.
Sipas vlerësimeve të ekipit ekonomik të LSDM-së, numri i të punësuarve në zonat industriale me investime të huaja mund të ulet për rreth 30% deri në fund të vitit. Kryetari Venko Filipçe paralajmëroi se kjo do të thotë mijëra vende pune të rrezikuara, dhe nëse përfshihen edhe kompanitë vendase nga industria tekstile që po mbyllen, shumë familje përballen me një ekzistencë të pasigurt.
“Kjo është një shifër e madhe dhe një humbje e madhe e vendeve të punës. Nëse i shtohet edhe fakti që dhjetëra kompani nga fusha e industrisë tekstile, kompani tona vendase, janë mbyllur gjatë muajve të fundit, arrijmë tek një numër prej mijëra njerëzish dhe familjesh, të cilëve u rrezikohet ekzistenca dhe përballen me pasiguri”, tha Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.
Arsyeja për mbylljen e kompanive të mëdha të huaja është zvogëlimi i porosive, ndërsa për këtë mbyllje, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se do të ketë kompani që do të hapen dhe kompani që do të mbyllen, si vendase ashtu edhe të huaja, dhe se kjo nuk duhet të merret si fund i botës. /Alsat.mk





