Nga koalicioni VLEN thonë se në zgjedhjet lokale qytetarët folën qartë dhe se rezultatet nuk janë një rastësi, por janë refuzim i hapur i politikës së vjetër.
“Zgjedhjet që i quajtën “referendum”, përfunduan si gjykim politik ndaj atyre që për 23 vite e mbajtën peng popullin shqiptar me gënjeshtra dhe mashtrime. Qytetarët folën qartë se koha e manipulantëve ka mbaruar.
Të dy rrethet e këtyre zgjedhjeve dëshmuan se Bashkimi Demokratik për Integrim është fshirë nga harta politike e Maqedonisë së Veriut. Pas dy dekadash manipulime, kjo parti është shndërruar në një strukturë minore, pa mbështetje dhe pa legjitimitet politik.
Këtë nuk e thotë VLEN, e thotë vota e lirë e shqiptarëve.
Në rrethin e parë, VLEN fitoi bindshëm në Çair, Saraj, Haraçinë, Zhelinë dhe Tearcë. Në rrethin e dytë, shqiptarët e vulosën ndryshimin në Bogovinë, Dibër, Strugë, Dollnen dhe Tetovë. Këto fitore nuk janë rastësi janë refuzim i hapur i politikës së vjetër dhe konfirmim i besimit te politika e re.
Shqiptarët e dinë saktë se kush punon dhe kush mashtron, kush ndan dhe kush bashkon.
Kjo votë e qartë është fund i një epoke dhe fillim i një vizioni të ri për politikën shqiptare”, thonë nga VLEN.
Nga atje thonë se VLEN e lexon këtë rezultat si nisje të politikës së përgjegjësisë, që matet me punë, me përulësi dhe me respekt për qytetarin. Ne nuk do të flasim për humbësit sepse shqiptarët tashmë folën.





