Kryetari i ri i Komunës së Çairit dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka zhvilluar sot një aktivitet në Tetovë bashkë me kandidatin për kryetar të kësaj komune, Bilall Kasami.
Në një postim në rrjetet sociale, Mexhiti njoftoi se gjatë vizitës derë më derë në lagjet e qytetit, ata janë pritur me ngrohtësi dhe besim nga banorët, të cilët, siç theksoi ai, e shohin në Kasamin njeriun që do të sjellë “punë, zhvillim dhe ndershmëri” në qeverisjen lokale.
“Banorët na pritën me ngrohtësi dhe me besim të plotë në vizionin e Bilallit për një Tetovë që ecën përpara me punë, zhvillim dhe ndershmëri. Kudo ku shkuam, dëgjuam zërin e qytetarëve që duan qeverisje të vërtetë”, ka shkruar Mexhiti.
Ai shtoi se Tetova tashmë ka zgjedhur drejtimin e duhur dhe se në raundin e dytë të zgjedhjeve, “VLEN dhe Bilall Kasami janë garancia për një qeverisje që punon për qytetarin”.


 
                                     
 



