Në një reagim publik të fortë, kandidati i pavarur për Komunën e Strugës, Mendi Qyra, ka dënuar ashpër çdo formë të kërcënimeve, presioneve dhe tentativave për të heshtur fjalën e lirë, duke theksuar se ato përbëjnë “plagë për demokracinë” dhe “nuk mund të tolerohen në asnjë shoqëri që pretendon të jetë e lirë dhe demokratike”.
“Liria e shprehjes është themeli mbi të cilin ndërtohet një shoqëri e drejtë dhe e hapur. Kushdo që përpiqet ta frikësojë apo ta heshtë mendimin ndryshe, po kërcënon vetë demokracinë,” – deklaroi Qyra.
Ai u bëri thirrje institucioneve që të reagojnë me vendosmëri dhe transparencë, duke ndëshkuar çdo akt intimidimi ndaj gazetarëve, aktivistëve apo qytetarëve që shprehin publikisht mendimin e tyre.
Sipas Qyrës, shoqëria duhet të kultivojë dialog të hapur dhe respekt për mendimin ndryshe, sepse “vetëm përmes debatit të lirë ndërtohet e ardhmja që duam”.
> “Të mbrosh fjalën e lirë, do të thotë të mbrosh dinjitetin e njeriut dhe të ardhmen e vendit,” – shtoi ai.


 
                                     
 



