Seri arrestimesh të shoferëve të dehur gjatë 24 orëve të fundit, por edhe në ditët e kaluara. Përveç në kryeqytet, shoferë në gjendje të dehur janë arrestuar edhe në qytete të tjera në mbarë vendin.
Rasti i fundit është shënuar në Manastir ku policia herët në mëngjes arrestoi një 27-vjeçar, që voziste me mbi dy promilë alkool në gjak.
“Sot në mëngjes në orën 03:42 në rrugën „Partizanska“ në Manstir, zyrtarët policorë nga SPB Manastir privuan nga liria P.D. (27) nga Manastiri. Gjatë kontrollit në trafik, policia ndaloi një veturë „Opel“ me targa të Manastirit, e cila drejtohej nga P.D., dhe gjatë masave të marra u konstatua se ai po voziste nën ndikimin e alkoolit, konkretisht iu matën 2.16 promilë alkool në gjak”, thonë nga MPB.
Në orën 2 pas mesnate në rajonin e Koçanit u arrestua një 21-vjeçar me 1.53 promilë alkool, ndërsa në Makedonski Brod, mbrëmë, rreth një orë para mesnate, një person voziste me mbi 2 promilë alkool në gjak.
“Dje në orën 22:53 në rrugën „Marshali Tito“ në Makedonski Brod, zyrtarët policorë privuan nga liria S.V. Gjatë kontrollit në trafik, policia ndaloi një veturë „Renault“ me targa të Makedonski Brodit, e cila drejtohej nga S.V., dhe u konstatua se ai ishte nën ndikimin e alkoolit, konkretisht iu matën 2.03 promilë alkool në gjak”, theksuan nga MPB.
Herët në mëngjes rreth orës 2 në Kumanovë u arrestua edhe një person nga Zletova, i cili voziste me 1.64 promilë alkool në gjak. Ky “trend” i vozitjes nën ndikimin e alkoolit është i pranishëm edhe ditët e fundit. Vetëm dy ditë më parë, një banor i Shkupit voziste në mes të ditës me 1.98 promilë alkool dhe shkaktoi një aksident trafiku ku pasagjerja pësoi lëndime të lehta trupore. Në tre raste të veçanta në Kumanovë dhe dy fshatra të Probishtipit, më 23 nëntor, policia raportoi për raste ku veturat devijuan nga rruga, dhe të gjithë shoferët ishin të dehur./Alsat.mk





