Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Marija Zakharova, tha se Rusia do të “hakmerret me dhimbje” nëse Bashkimi Evropian sekuestron asetet ruse në llogaritë Euroclear. “BE-ja nuk ka asnjë bazë ligjore për konfiskimin e pronës ruse, kështu që do të ishte thjesht vjedhje”, tha Zakharova.
Komisioni Evropian ka propozuar përdorimin e aseteve të ngrira ruse në Evropë për të siguruar një “kredi riparimi” prej 140 miliardë eurosh (122 miliardë paund). Propozimi do të debatohet sot. Sipas planit, BE-ja do të përdorë para nga llogaritë e bankës qendrore ruse që aktualisht janë të ngrira për të ndihmuar Kievin të mbulojë një pjesë të madhe të nevojave të tij financiare në vitet 2026 dhe 2027.
Çfarë mendojnë anëtarët e BE-së për këtë?
Kryeministri belg Bart De Wever tha se do ta kundërshtonte masën derisa të merrte garanci të qarta se si do të përdoreshin asetet e ngrira ruse. De Wever, vendi i të cilit është selia e administratorit kryesor të aseteve, Euroclear, tha se ende nuk shihte një bazë ligjore për një vendim të tillë, duke kujtuar se asetet e ngrira nuk u prekën as gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kancelari gjerman Friedrich Merz tha: “Unë ndaj shqetësimet e kryeministrit belg, por besoj se ne do të bëjmë një hap përpara.”
Kryeministri finlandez Petteri Orpo tha: “Ne kemi një zgjidhje që është ligjërisht e zbatueshme dhe merr parasysh shqetësimet e Belgjikës.”
Kryeministri suedez Ulf Kristersson shtoi: “Nuk do të shpall fitoren derisa të arrihet një marrëveshje për gjithçka, por shoh mbështetje shumë të gjerë për përdorimin e aseteve të ngrira ruse.”
Rreth sanksioneve të BE-së
Zakharova tha se Rusia ka zhvilluar një “imunitet të fortë” ndaj masave perëndimore dhe se ato janë joefektive. Shtetet anëtare të BE-së miratuan dje paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, e cila përfshin një ndalim të importit të gazit natyror të lëngshëm rus nga janari i vitit 2027.
“Elitat në bllokun me 27 anëtarë thjesht nuk mund ta pranojnë që sanksionet e tyre nuk po funksionojnë”, tha Zaharova. Ajo dënoi sanksionet amerikane kundër kompanive të naftës Rosneft dhe Lukoil, duke thënë se Rusia është “imune” ndaj këtyre vendimeve ekonomike.
Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën sanksione kundër kompanive të mëdha ruse të naftës, një ditë pasi planet për një samit midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin dështuan.
“Ne e konsiderojmë këtë qasje thjesht kundërproduktive”, tha zëdhënësja Maria Zakharova gjatë informimit të saj javor, raportoi AFP të enjten. “Vendi ynë ka zhvilluar një imunitet të fortë ndaj kufizimeve perëndimore dhe do të vazhdojë me besim të zhvillojë potencialin e tij ekonomik, përfshirë sektorin e energjisë”, shtoi ajo.