Një familje me 11 anëtarë u vra më 17 tetor pasi Izraeli sulmoi një automjet në lagjen Zeitoun të Gazës, pasi dyshohej se kishte kaluar “linjën e verdhë”, që tregon zonat nën kontrollin e ushtrisë izraelite.
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, Izraeli ka vrarë 28 persona, shkruan Al Jazeera.
Hamas i ka bërë thirrje SHBA-ve dhe ndërmjetësve të ushtrojnë presion mbi Izraelin për të respektuar armëpushimin dhe për të ndalur sulmet, pas dorëzimit të një tjetër trupi të një pengu izraelit të vrarë, përmes Kryqit të Kuq.
Zyra e Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Hamas duhet të respektojë marrëveshjen e armëpushimit dhe të kthejë trupat e 18 pengjeve të tjera që janë ende në Gaza.
Deklarata u bë pasi autoritetet izraelite konfirmuan se eshtrat e një pengu të vdekur që Hamas dorëzoi gjatë natës janë të 75-vjeçarit Eliyahu Margalit, i vrarë që më 7 tetor 2023 në Kibbutz Nir Oz. Ushtria izraelite kishte njoftuar më parë familjen se ishte identifikuar trupi i Margali dhe se do të kryhej varrimi.
Zyra e Kryeministrit izraelit tha se “nuk do të pranojnë kompromis… dhe nuk do të kursejmë asnjë përpjekje derisa të kthejmë të gjithë pengjet e vrarë, deri tek i fundit”.
Sipas mediave izraelite, Izraeli është “i vendosur, i përkushtuar dhe po punon pa pushim” për të rikthyer të gjithë pengjet e vdekura, duke shtuar se Hamas duhet të përmbushë angazhimet ndaj ndërmjetësve dhe t’i kthejë trupat si pjesë e zbatimit të marrëveshjes.