Pakistani nisi sulme ajrore në territorin afgan, duke shkelur një armëpushim 2-ditor që kishte hyrë në fuqi pas përleshjeve të përgjakshme në kufirin mes dy vendeve, ku si pasojë kanë humbur jetën 10 persona.
Një zyrtar taleban deklaroi për mediat se Pakistani shkeli armëpushimin dhe bombardoi tre zona në provincën Paktika, duke paralajmëruar se Afganistani do të përgjigjet nëse sulmet vazhdojnë.
Armëpushimi ishte njoftuar në mesditë të së mërkurës, me afat 48 orë, por Kabuli pretendon se marrëveshja do të mbetej në fuqi derisa të shkelej nga njëra palë.
Zëdhënësi i qeverisë talebane, Zabihullah Mujahid, tha se forcat afgane ishin urdhëruar të mos hapnin zjarr, përveç në rast se sulmoheshin nga ushtria pakistaneze. Ai shtoi se “negociatat mund të zgjidhin problemet”, megjithatë nuk konfirmoi zhvillimin e bisedimeve me Islamabadin.
Kur përfundoi afati i armëpushimit, asnjëra palë nuk kishte njoftuar zgjatjen e tij.
“Le të presim që të kalojnë 48 orët dhe të shohim nëse armëpushimi do të respektohet”, deklaroi zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Pakistanit, Shafqat Ali Khan.