10.8 C
Skopje
Wednesday, October 15, 2025

PD akuzon presidentin Begaj se ka shkelur kushtetutën për përfitime personale

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj u akuzua nga Partia Demokratike në opozitë të mërkurën se kishte përfituar pagesa nga një spital privat në Tiranë, në shkelje të Kushtetutës, si dhe kishte kontraktuar kompaninë ku është punësuar i biri, nën dyshimet për konflikt interesi.

Akuzat janë pjesë e një kërkese të Partisë Demokratike për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të presidentit Begaj, pas dekretit kontrovers që ai nënshkroi për të caktuar mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë, pavarësisht se kryebashkiaku Erion Veliaj kishte dorëzuar një padi në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kreu i shtetit ka kryer shtatë shkelje të rënda të Kushtetutës së Shqipërisë, duke përfshirë dekretimin e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë si dhe një kërkesë për përfundimin e mandatit të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.

Kërkesa e PD-së denoncon gjithashtu “një konflikt permanent interesi” të Presidentit për përfitime personale të tij dhe të të birit në shkelje të Kushtetutës.

“Ka vijuar të ushtrojë detyra publike në Akademinë e Forcave të Armatosura dhe veprimtari private në Spitalin Acibadem në kundërshtim me detyrimin e tij kushtetues për të hequr dorë nga çdo lloj detyre publike apo veprimtarie private…,”-thuhet në kërkesë.

Neni 89 i Kushtetutës i ndalon Presidentit të Republikës që të mbajë detyra të tjera publike, të jetë anëtar i ndonjë partie ose të kryejë veprimtari të tjera private.

Por pavarësisht këtij detyrimi, Begaj ka deklaruar në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI, interesa të tjera private përveç detyrës së Presidentit.

Në deklarimet e viteve 2022 dhe 2023, Begaj ka deklaruar të ardhura nga spitali privat “Acibadem” në Tiranë në vlerën totale të 4398 eurove. Presidenti ka deklaruar gjithashtu të ardhura nga Akademia e Forcave të Armatosura për vitet 2022 dhe 2024 në vlerën e 252,130 lekëve gjithsej.

Bardhi e akuzoi gjithashtu presidentin se kishte kultivuar një lidhje të konfliktit të interesit me kompaninë ku ishte punësuar i biri. Sipas të dhënave nga ILDKPKI, djali i Presidentit, Klajdi Begaj është i punësuar në kompaninë e sigurimeve, ANSIG sh.a me një pagë vjetore neto prej 30 mijë eurosh.

Presidenca e ka kontraktuar kompaninë ANSIG sha për polica sigurimi shëndeti dhe automjetesh me një vlerë totale prej 1.3 milionë lekësh gjatë viteve 2022-2025, sipas të dhënave të siguruara nga Thesari i Shtetit.

Sipas opozitës, këto veprime “cënojnë parimin e konkurrencës së lirë, në drejtim të barazisë së pjesëmarrësve në kontrata publike, duke i akorduar kompanisë private, ku rezulton i punësuar i biri, të gjitha prokurimet publike në fushën e sigurimeve në kushtet e konfliktit faktik të interesit”.

Opozita i sheh këto veprime si cënim i rëndë i besimit të publikut të figura e Presidentit, pasi “krijojnë perceptimin tek qytetarët e përdorimit të funksionit publik për përfitime personale”.

Përmes një njoftimi për shtyp, Presidenti Bajram Begaj* zgjodhi të mos komentojë kërkesën e Partisë Demokratike për shkarkimin e tij, por i konsideroi pretendimet rreth fakteve si të pavërteta. Ai shtoi gjithashtu se ndjehet i obliguar që t’i përgjigjet Parlamentit me “seriozitetin dhe ndershmërinë” që imponon kjo procedurë. (Panorama.al)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit