ë hapësirat e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, u realizua takimi me kandidatin e pavarur për Kryetar të Komunës së Strugës, z. Mendi Qyra, i cili u mirëprit nga U.D. Kryetar i OEMVP-së, z. Nuhi Aliu, Drejtori Ekzekutiv, z. Durim Zekiri, Kryetari i Nderit, z. Xhemail Dauti, si dhe përfaqësues të Këshillit Drejtues dhe Këshillit Mbikëqyrës të OEMVP.
Takimin e hapi U.D. Kryetari i OEMVP-së, z. Nuhi Aliu, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet komunave dhe komunitetit të biznesit, si një shtyllë thelbësore për zhvillimin lokal.
Gjatë diskutimit, z. Mendi Qyra, nënvizoi se promotori kryesor i zhvillimit të vendit është ekonomia, duke theksuar se në rast të marrjes së mandatit, Komuna e Strugës do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim me Odën dhe bizneset lokale. Ai theksoi se në platformën e tij zgjedhore janë përfshirë pesë projekte strategjike të rëndësishme për zhvillimin e Strugës, ndërsa theksoi domosdoshmërinë e komunikimit të hapur ndërmjet institucioneve, komunës dhe OEMVP-së.
Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv, z. Durim Zeqiri, prezantoi Platformën e për Zhvillim Ekonomik Lokal, e cila përmban pika të përbashkëta me vizionin e z. Qyra, sidomos në fushat e zhvillimit të turizmit, nxitjes së investimeve të diasporës, si dhe promovimit të transparencës dhe llogaridhënies si parime bazë të qeverisjes lokale.
Kryetari i Nderit, z. Xhemail Dauti, potencoi rëndësinë e decentralizimit fiskal dhe funksional, si një mekanizëm për forcimin e kapaciteteve komunale dhe përmirësimin e efikasitetit administrativ. Ai gjithashtu propozoi krijimin e një Qendre Biznesi në bashkëpunim me OEMVP-në, e cila do të shërbente si pikë mbështetëse për ndërmarrjet lokale dhe zhvillimin e ndërmarrësisë në Strugë.
Në takim e mori fjalën edhe z. Fatmir Ejub, anëtar i OEMVP-së, i cili theksoi nevojën për ngritjen e vetëdijes mjedisore përmes kompanisë Alpak Eko, duke adresuar problematikën e menaxhimit të mbeturinave dhe çështjen e deponisë në Strugë. Ai theksoi se kompania Alpak Eko është e gatshme të mbështesë komunën me kontejnerë për riciklim, por kërkoi që paraprakisht të sigurohen vendet e përshtatshme dhe infrastruktura e nevojshme. Në këtë drejtim, z. Qyra shprehu gatishmërinë për bashkëpunim, duke theksuar se mbrojtja e mjedisit është gjithashtu pjesë e platformës së tij.
OEMVP vazhdon të forcojë bashkëpunimin me komunat dhe bizneset lokale, duke promovuar zhvillimin ekonomik, transparencën dhe qëndrueshmërinë mjedisore. Përmes iniciativave dhe projekteve strategjike, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore mbetet një mbështetje e qëndrueshme për komunitetin e biznesit.