14.8 C
Skopje
Tuesday, October 14, 2025

Mexhiti në takimin me OEMVP: Partneriteti mes komunave dhe biznesit është çelësi i zhvillimit ekonomik

Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Çairit dhe njëri nga liderët e koalicionit, Izet Mexhiti mori pjesë në takimin e organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) me liderët e koalicionit VLEN dhe kandidatët e këtij koalicioni për kryetarë komunash.

Në fjalën e tij, Mexhiti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis komunave, Qeverisë dhe sektorit të biznesit, si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në komunat shqiptare. Ai rikujtoi se ditët e fundit është mbajtur edhe një takim i veçantë për zonën e Vizbegut, e cila sipas tij meriton vëmendje të shtuar institucionale për shkak të kontributit të madh ekonomik që jep.

“Vizbegu është zonë që jep më së shumti dhe e mbush arkën e shtetit përmes tatimeve të kompanive dhe mijëra punëtorëve që punojnë aty. Kjo zonë ka nevojë për infrastrukturë të denjë, për rrugë të rekonstruuara si ‘Hasan Prishtina’ e ‘rruga e Kaçanikut’, që të jenë në funksion të ndërmarrjeve ekonomike. Këtu duhet bashkëpunim mes komunave përreth, Qeverisë dhe një kryetari të ri të Qytetit të Shkupit që e kupton rëndësinë e zhvillimit ekonomik vendor”, theksoi Mexhiti.

Ai shtoi se takimi me Odën Ekonomike Veri-Perëndimore shërben për të harmonizuar qëndrimet dhe për të krijuar një partneritet afatgjatë midis institucioneve lokale dhe komunitetit të biznesit.

“Si koalicion VLEN kemi ardhur në formë respekti, të gjithë liderët dhe kandidatët me idetë dhe programet e tyre. Ramë dakord që pas zgjedhjeve të mbahet një takim i dytë me kandidatët e zgjedhur për të harmonizuar qëndrimet, edhe pse në fakt kemi shumë pak për të harmonizuar sepse Oda e përkrah decentralizimin dhe idenë që mjetet buxhetore të përdoren për projekte ekonomike dhe jo për përmendore”, u shpreh Mexhiti.

Në përfundim, Mexhiti nënvizoi se ky bashkëpunim është edhe një “infuzion” për kompanitë vendore të vogla dhe të mesme që veprojnë në komunat përkatëse, si dhe një mundësi për të avancuar digjitalizimin, turizmin dhe zhvillimin e zonave ekonomike në Saraj, Tetovë, Strugë e më gjerë.

“Platforma e VLEN-it është në një vijë me atë të Odës Ekonomike Veri-Perëndimore. Ideja është që edhe pas zgjedhjeve të vazhdojmë ta thellojmë këtë bashkëpunim, sepse është në interes të përbashkët të komunave dhe bizneseve”, përfundoi Mexhiti.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit