14.8 C
Skopje
Tuesday, October 14, 2025

Banorët e Strugës për 13 orë pa ujë për pije, kufizimet pritet të vazhdojnë edhe ditët në vazhdim

Gjatë 13 orëve të fundit qytetarët e Strugës mbetën pa ujë për pije. Nëse më parë arsyeja ishte një defekt në rrjet, tani problemi është tek burimet e zbrazura në Shum dhe Belicë të Epërme, nga të cilat qyteti furnizohet me ujë.

“Uji në Strugë është bërë bisedë e zakonshme për të folur. E kemi pasur për vite me radhë, por askush nuk e zgjidh, ashtu si shumë probleme të tjera në qytet. Mbushim shishe për të kaluar ditën”, tha Dejan Jankoski – banor i Strugës.

“Ndodh që të mos ketë ujë, ndodh. Nëse është një ose dy orë, mund ta përballosh, por kjo ndodh shumë shpesh dhe është tepër e zakonshme”, u shpreh një banorë e Strugës.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që ta përdorin ujin me kursim, me qëllim, sipas tyre, reduktimin e problemeve me presion të ulët apo ndërprerje të furnizimit. Ata justifikohen se situata shkaktohet nga mungesa e reshjeve të shiut.

Nga Ujësjellësi bëjnë me dije se do të vazhdojnë me kufizimet, të cilat nga sot do të jenë nga ora 23:00 deri në 6:00 të mëngjesit. Ata kërkojnë durim nga qytetarët deri sa të ketë reshje dhe të përmirësohet furnizimi me ujë. Derisa të ndodhë kjo, thonë se do të përpiqen që kufizimet të jenë vetëm gjatë natës, ndërsa gjatë ditës të gjithë qytetarët të kenë ujë për pije.

Në takimin e fundit të Këshillit Lokal për Parandalim, kryetari Merko ka sugjeruar që qytetarët që jetojnë në katet e larta të ndërtesave, ku shpesh mungon uji, të sigurojnë hidroforë. Të pranishmit në takim kërkuan që kjo të përdoret dhe të mbulohet nga Ndërmarrja Publike Ujësjellësi dhe Kanalizime./ Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit