13.8 C
Skopje
Tuesday, October 7, 2025

Fjalimet tallava janë vetëm që të mbrohen shtëpitë; një në katund një në qytet dhe një në detë.

Shkruan: Hasan Jashari

Fushata zgjedhore në Maqedoni filloi. Akuzat e ndërsjella kanë një trend rritjeje.

Vërejmë se vazhdimisht zhvillohen debate rreth asaj se kush është partner më i mirë në qeveri: a është VMRO apo LSDM. Të gjitha partitë shqiptare kanë krijuar mekanizmat e tyre mbrojtës dhe sulmues ndaj tyre, por ato mekanizma ndryshonin varësisht nëse ishin në qeveri apo në opozitë. Një gjë megjithatë është e qartë: partitë maqedonase janë përafërsisht të njëjta. Njëra është më e zëshme në publik dhe më agresive ndaj shqiptarëve, ndërsa tjetra shfaqet më e moderuar dhe më e kulturuar, por vepron në heshtje duke goditur pak e nga pak. Ky film është parë që nga viti 1991 e këndej: atëherë VMRO fyente dhe kërcënonte haptas shqiptarët, ndërsa LSDM përmbahej nga fyerjet, por përdorte policinë kundër Shqiptarëve dhe kreu privatizimin kriminal të pronës publike.

Sot po përhapet paradigma se ata të VLEN-it janë shërbëtorë e vazalë të Mickoskit. Po, çdo shqiptar ka pasur një “maqedon të vetin” dhe anasjelltas. Dikur njerëz sulmonin haptas Partinë e Intelektualëve Shqiptarë ( Partinë për Prosperitet Demokratik) duke i quajtur njerëz të Gligorovit. Por më vonë, dy partitë më të mëdha shqiptare – PDSH dhe BDI – u bënë njerëz të shefit të UDB-së, Sasho Mijallkov. Pastaj erdhën njerëzit e Gruevskit, i cili harxhoi afro 800 milionë euro të komunave shqiptare për të krijuar identitet me para. Aty nisi edhe shprazja e vendbanimeve shqiptare: Struga u zbraz, Gostivari u përgjysmua. Kush i ka drejtuar ato komuna? Kush ka qenë në pushtet 23 vite? Faktet janë publike dhe i gjejmë edhe në YouTube.

E dimë të gjithë se kjo ndodhi deri para një viti, kur sistemi gjyqësor dhe vetë udhëheqësi politik i BDI-së u shpall “non grata” dhe u largua nga shteti për shkak të lidhjeve me Sashon. Faktet i kanë edhe amerikanët.

Ikja nga qeveria është dobësi, jo patriotizëm

Hapsira në Qeveri dhe institucione nuk falet, ajo merret

Dikush sot largohet nga qeveria duke thënë se Mickoski nuk u jep hapësirë shqiptarëve, se shqiptarët janë shërbëtorë të tij, se nuk pyet kush për ta, për ligjin e gjuhëve, balancuesin etj. Por faktet flasin ndryshe. Iniciativa për ndryshime në ligjin e gjuhëve nisi që në vitin 2017 nga presidentja e tanishme e shtetit, Siljanovska, bashkë me MANU dhe Institutin për Gjuhën Maqedonase. Edhe iniciativat për balancuesin kanë ardhur nga këtu. Kush ishte në qeveri atëherë? Kush ishin deputetët? Parlamenti është themelues i këtyre institucioneve, por askush nga liderët shqiptarë, që ishin edhe deputetë, nuk e hapi gojën. Fakte me të dhënat janë publike në internet.

Sa i përket daljes nga qeveria, po sjell një shembull historik. Në vitin 1997 ndodhën ngjarjet e Gostivarit. Ne,ministrat dhe  deputetët e PPD-së, ishim të dëshpëruar dhe mendonim të largoheshim nga qeveria. Atëherë ambasadori amerikan Hill na tha qartë: “Institucionet janë pjesë e popullit shqiptar në Maqedoni, ju jeni zgjedhur për të qenë aty ku merren vendimet, jo të dilni në rrugë. Nëse ikni, tregoni dobësi. Kosova është prioriteti ynë dhe nuk mund të hapim probleme të reja.” Ne e ulëm kokën si nxënës. Ky ishte mësimi i parë: se lufta politike duhet bërë brenda institucioneve, me dije, me punë me ngulm… Më vonë në vitin 1999, kur ndodhi eksodi dhe intervenimi i NATO-s i kuptuam fjalët e mbasadorit Hill.

Ku e di BDI çfarë është Akademia?

Kundërshtimi ndaj themelimit të Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve është karta më e fortë në dorën e BDI-së. Ish-funksionarë të afërt me Ali Ahmetin më thënë , para disa ditësh,se BDI kurrë nuk do ta përkrahë atë, sepse për ta mjafton MANU-ja. MANU është institucion që në çdo kuvend ka ngritur teza antishqiptare: nga Enciklopedia fyese që i quan Shqiptarët ardhacakë q[ kanë ybritë nga mali dhe kanë marrë shtëpitë e Maqedonasve, te deklaratat e Taki Fitit më 2016 për prejardhjene Nënë Terezës, apo qëndrimet e viteve 2017, 2019 e deri te fjalimi i fundit në mars 2025, ku Kryetari i tashëm tha hapur në Kuvendin e Akademisë se gjuha shqipe nuk duhet të përdoret në ushtri, polici, shëndetësi dhe gjykata. Duke mbrojtur këtë axhendë, BDI fiton kredibilitet te pala maqedonase. Pra, tregohet lojale ndaj qarqeve regresive.

Hysmeqarë dhe vasalë janë të korruptuarit

Përvoja politike e dëshmon: korrupsioni e mbyt shoqërinë. Njerëzit e korruptuar nuk mund ta ngrejnë zërin për interesat e votuesve, sepse janë peng të dosjeve, akuzave, lëndëve gjyqësore dhe shantazheve. Ata sillen me dinakëri, bëjnë zhurmë brenda partisë, paguajnë njerëz për të shpërndarë dezinformata, por përballë partive maqedonase janë konformistë.

Futbolli në qeveri si “krenari”

Disa funksionarë të nivelit të mesëm të BDI-së mburren se ata “bënë çfarë deshën” në Qeveri, kënduan me çifteli dhe luajtën futboll, ndërsa të tjerët nuk bënë asgjë. Kjo filozofi politike është tregues i nivelit të ulët të një strukture që 23 vite jeton me lavdinë e luftës, pa punuar asgjë për të ardhmen e shoqërisë. Të bërtiturit, fjalime tallava janë vetëm që të mbrohen shtëpitë; një në katund një në qytet dhe një në detë.

Konkluzion

Askush nuk jeton me lavdi. Demokracia parlamentare kërkon punë të përditshme në institucione, atje ku merren vendimet. Nevojiten kuadro të ditur, të pakorruptuar dhe të përkushtuar për interesin e shqiptarëve. Demokracia është si kopshti: çdo ditë duhet hequr barin e keq, ujitur, mbjellë e kujdesur që të japë fryte.

Këtë nuk mund ta bëjë një parti që ka dhjetëra funksionarë “non grata” dhe  dyfish më tepër lëndë gjyqësore për korrupsion. Fatkeqësia është se asnjëherë kjo parti nuk ka larguar nga obori njerëzit e saj për mosdije, mospunë apo korrupsion. Nuk ka pasur asnjëherë vlerësim për suksesin ose dështimin e tyre. Prandaj, ajo sot thotë se mund të shkojë me këdo edhe me VMRO, Levicën proruse edhe me LSDM dhe të bëjë çfarë të dojë, për sa kohë që mbron pasurinë e vet, ajo nuk punon për perspektivat qytetare. Por, kërkimi i parnerit të lehtë maqedon, pasi i ka provuar të gjithë, pas 23 viteve, është demagogji. Partner të lehtë, te pala tjetër, nuk ka.

 

Autori është professor universitar

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit