4.8 C
Skopje
Saturday, October 4, 2025

Kasami takon pensionistët: Kemi rritur pensionet për 7 mijë denarë, do ndërtojmë Shtëpi për të moshuarit në Tetovë

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, sot ka realizuar takim me përfaqësues të Shoqatës së pensipnistëve, ku ka bashkëbiseduar me pensionistët. Pas takimit, Kasami tha se ka folur për punët e realizuara gjatë mandatit të tij të parë dhe për planet për mandatin e dytë. Ai tha se në fillim të qeverisjes e kishte gjetur Tetovën në gjendje të rëndë financiare dhe infrastrukturore, ndërsa sot qyteti po përjeton ndryshim rrënjësor.

“Tetovën e gjeta në gjendje katrahure. Nuk kishin punuar as për shqiptarët, as për maqedonasit, as për të rinjtë, as për të moshuarit, kishin punuar vetëm për një rreth të vogël interesash. Qyteti ishte i zhytur në borxhe, me rrugë të shkatërruara dhe shërbime të mjera”, tha Kasami.

Ai theksoi se sot Tetova është qytet që kujdeset për infrastrukturën, mjedisin, kulturën, artin dhe sportin, por edhe për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve.

Në takimin me Shoqatën e Pensionistëve, Kasami kujtoi se Qeveria e udhëhequr nga VLEN ka rritur pensionet për 7.000 denarë brenda vetëm 15 muajve, ndërsa Komuna e Tetovës ka mbështetur projekte konkrete për pensionistët, si “takimet ndëretnike të pensionistëve” me buxhet prej 200 mijë denarësh.

Në programin për mandatin e dytë “Një zë për Tetovën”, Kasami paralajmëroi ndërtimin e një shtëpie për të moshuarit, hapjen e Qendrës Ditore për Plakje Aktive, shërbimin “Ndihmë dhe kujdes në shtëpi”, asistentë personalë për personat me invaliditet, si dhe transport publik falas për të gjithë qytetarët.

“Tetova do të përkujdeset për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, feje apo statusi social. Në mandatin e dytë, me Kapitullin e Dytë të zhvillimit, Tetova vazhdon fuqishëm përpara në çdo sferë. Nuk kthehemi më në të kaluarën e zymtë të mosfunksionimit dhe korrupsionit”, deklaroi Kasami.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit