Ndër komunat të cilat vizitoi dje VMRO-DPMNE ishte edhe qyteti i Manastirit. Në këtë komunë për mandat të dytë garon kryetari aktual Toni Konjanovski. Pos projekteve që vetëm se kanë filluar në këtë komunë me mbështetje të Qeverisë, kryeministri Hristijan Mickoski i bëri thirrje Konjanovskit që të vazhdojë edhe me projekte të reja. Ndër porositë e veçanta që Mickoski pati për kandidatin e partisë së tij, është që t’u mundësojë çifteve të reja të blejnë tokë me nga 1 euro për m2.
“Dhe mendoj se Toni në fillim të mandatit të tij fillimisht çfarë duhet bërë është të gjejë ndonjë parcelë me disa hektarë tokë dhe ta ndajë në parcela më të vogla dhe të mundësojë që çdo parcelë të mund të blihet nga çifte të reja nga një euro për metër katror, e të cilët do të jenë të liruar nga tatimet komunale, ku do të ndërtojnë shtëpinë e tyre dhe atë shtëpi ta mbushin me shumë fëmijë”, tha Hristijan Mickoski – VMRO-DPMNE.