Zëdhënësi i Shtabit Lokal të koalicionit VLEN në Çair, Sabri Aziri, në një konferencë për media, ka ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj kandidatit të BDI-së për kryetar komune, Bujar Osmani, dhe partisë së tij, për keqmenaxhim dhe abuzim me fondet publike të destinuara për pastërtinë në Shkup, në veçanti në komunën e Çairit.
Aziri deklaroi se përkundër kontratave me vlerë mbi 1.4 milionë euro të lidhura vetëm gjatë këtij viti nga ndërmarrja publike “Higjiena Komunale” – Shkup, situata në terren është alarmante dhe qytetarët vazhdojnë të jetojnë në një mjedis të ndotur dhe të papastër.
“Bujar Osmani del para qytetarëve si një mjek i shqetësuar për gjendjen e pastërtisë, por harron se është pikërisht partia e tij ajo që ka menaxhuar keq dhe ka lejuar këtë gjendje. Për vite me radhë, kuadrot e BDI-së kanë sabotuar funksionimin e Higjienës Komunale dhe e kanë përdorur atë për përfitime personale përmes tenderëve”, theksoi Aziri.
Sipas tij, vetëm nga janari i këtij viti janë nënshkruar kontrata në këto shuma:
422 mijë euro për servisimin e automjeteve,
276 mijë euro për goma,
253 mijë euro për kazanë dhe pajisje të tjera,
192 mijë euro për furça dhe pjesë të tjera teknike.
Pavarësisht këtyre shpenzimeve të konsiderueshme, Aziri tha se automjetet e pastrimit ndodhen në gjendje të mjerueshme dhe nuk përmbushin as funksionet më elementare.
Ai gjithashtu denoncoi një kontratë prej 12 mijë eurosh për “shërbime intelektuale” me kompaninë Heli Consult, që sipas tij është në pronësi të djalit të Blerim Bexhetit, duke e cilësuar këtë si një shembull të pastër të klientelizmit partiak.
“Këto janë rezultatet e abuzimit me tenderët – qyteti i zhytur në mbeturina, ndërsa paratë e qytetarëve përfundojnë në xhepat e të afërmve partiakë. Bujar Osmani dhe BDI nuk mund të fshehin më përgjegjësinë. Është koha që qytetarët të kërkojnë llogari.”
Në fund të deklaratës së tij, Aziri iu drejtua qytetarëve të Shkupit dhe të Çairit me një thirrje për ndryshim më 19 tetor:
“Nuk mjafton të paraqitesh si mjek i shqetësuar, kur vetë je pjesë e problemit. Më 19 tetor, qytetarët kanë mundësinë të pastrojnë jo vetëm mbeturinat, por edhe ata që e kanë ndotur komunën për vite me radhë për interesa politike dhe ekonomike.”