2.8 C
Skopje
Sunday, October 5, 2025

Kaltrina Beqiri: Gratë nuk kërkojnë më vend, ato po marrin vendime!

Forumi i Gruas “Vlen” ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me përfaqësues të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, ku në qendër të diskutimit ishte roli i gruas në proceset zgjedhore, me theks të veçantë në zgjedhjet lokale që po afrojnë.

Takimi u mbajt me kërkesë të vetë vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët treguan interes të veçantë për të kuptuar më mirë angazhimin dhe sfidat që përballin gratë në politikën vendore dhe në procesin zgjedhor në përgjithësi.

Deputetja Kaltrina Beqiri, përfaqësuese e lëvizjes “Vlen”, theksoi rëndësinë e këtij bashkëbisedimi:

“Ky takim ishte një mundësi e vlefshme për të ndarë përvojat, sfidat dhe iniciativat konkrete që gratë në politikë ndërmarrin për të forcuar demokracinë lokale dhe për të garantuar një përfaqësim të barabartë në vendimmarrje.”

OSBE dhe ODIHR, si misione të pavarura për vëzhgimin e zgjedhjeve, kanë theksuar se angazhimi i grave dhe përfshirja e tyre në çdo fazë të zgjedhjeve – nga fushatat, organizimi i brendshëm partiak, deri te vetë votimi – është tregues i rëndësishëm i cilësisë së demokracisë në vend.

Pjesëmarrëset nga Forumi i Gruas “Vlen” ndaluan edhe te sfidat konkrete që gratë përballin në politikë, si mungesa e mbështetjes, paragjykimet gjinore dhe barazpeshimi midis jetës private dhe angazhimit publik, por njëkohësisht ndanë edhe historitë e suksesit, nismat për fuqizim dhe projektet në terren që po sjellin ndryshime reale.

Ky takim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt një procesi zgjedhor më gjithëpërfshirës dhe më demokratik, ku zëri i gruas jo vetëm dëgjohet, por edhe respektohet dhe përfaqësohet siç duhet.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit