16.8 C
Skopje
Sunday, October 5, 2025

Bilall Kasami: Skandalet e BDI-së po dalin në shesh, do publikojmë edhe fakte e shifra konkrete

Në një intervistë të realizuar në emisionin “Ora 24” me gazetarin Mefail Ismaili, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, komentoi një sërë çështjesh të ndjeshme, duke u ndalur veçanërisht tek skandalet që, sipas tij, kanë lidhje të drejtpërdrejta me BDI-në dhe figura të larta politike të kësaj partie.

Kasami deklaroi se shumica e akuzave që janë drejtuar kundër tij janë të pabaza dhe të fabrikuara nga ata që, siç u shpreh ai, “e kanë shitur gjysmën e Tetovës”. Ai veçoi çështjen e pronave publike në zonën e njohur si “Monopoli”, ku u përball me akuza për favorizim dhe shitje të paligjshme.

“Ajo çështje nuk ka të bëjë me mua. Privatizimi i tokës është bërë në vitin 2014, kur në pushtet ishte BDI-ja. Unë vetëm kam ndjekur procedurat që do t’i ndiqte çdo kryetar komune për formësimin e tokës, një hap administrativ”, tha Kasami.

Sipas tij, BDI  gjithashtu i ka shitur tokë një biznesmeni i njohur që aktualisht ndodhet në listën e zezë ndërkombëtare, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën dhe ligjshmërinë e këtij transaksioni.

Një tjetër temë e ndjeshme ishte edhe ajo e vendosjes së një kryqi që u bë çështje e debatit publik. Kasami tha se përgjegjësinë për këtë e mban BDI, duke akuzuar partinë për një marrëveshje politike me LSDM-në që lejoi ndërtimin pa leje.

“Ajo ishte një marrëveshje politike mes BDI-së dhe LSDM-së. Ata e lejuan vendosjen e objektit pa asnjë dokumentacion të rregullt”, tha ai.

Kasami foli edhe për një nga skandalet më të fundit, atë që lidhet me “Alta Bankën”, që sipas tij është një projekt financiar i ndërtuar nga njerëz të afërt të Ali Ahmetit në bashkëpunim me biznesmenë të afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Kjo është dëshmi se për çfarë niveli korrupsioni flasim. Alta Banka është një biznes i pastër i familjes së ngushtë të Ali Ahmetit. Ka dokumente dhe shifra konkrete për këtë”, theksoi Kasami.

Ai shtoi se BDI vazhdimisht ka hedhur fajin mbi të tjerët për gabimet e veta, por se koha e mosndëshkimit ka marrë fund.

“Nuk është patriotizëm të fshihesh pas flamurit ndërkohë që pas shpine bën pazare që dëmtojnë interesin shqiptar. Ahmeti nuk është patrioti që mundohet të shitet në opinion. Të gjithë do ta kuptojnë së shpejti këtë,” tha Kasami.

Në fund, ai paralajmëroi se në ditët në vijim do të publikohen dokumente dhe argumente të reja, përfshirë edhe shifra të sakta që do të zbulojnë përmasën reale të aferave dhe lidhjeve të dyshimta të funksionarëve të BDI-së.

“Ditët që vijnë do të publikojmë edhe më shumë. Faktet do të flasin vetë, dhe çdo qytetar do ta kuptojë se kush i ka dëmtuar shqiptarët në këto vite,” përfundoi Kasami.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit