Karposh, 1 Tetor 2025 – Kandidati për kryetar të Komunës së Karposhit, prezantoi një plan konkret për zgjidhjen e problemit të madh me mungesën e vendeve për parkim, që prej vitesh e rëndon përditshmërinë e banorëve të kësaj komune.
“Mungesa e vendeve për parkim në Karposh nuk është më vetëm problem teknik, por burim i përditshëm i stresit, humbjes së kohës dhe kaosit në hapësirat publike. Mbrëmjeve shohim të njëjtën skenë: qytetarë që sillen me vetura 15 minuta nëpër lagje në kërkim të një vendi të lirë, makina të parkuara mbi trotuare, këmbësorë të detyruar të ecin nëpër rrugë. Karposhi, që duhet të jetë shembull i një lagjeje moderne dhe të rregullt urbane, po funksionon si një parking i improvizuar,” tha Lukrovski.
Për të adresuar këtë problem, në programin e tij parashihet një zgjidhje sistemore, afatgjate dhe ekologjike: ndërtimi i garazheve modulare me kate, të pajisura me panele diellore, që do të ofrojnë 600 vende të reja për parkim në të gjithë komunën.
“Këto nuk do të jenë struktura betoni të rëndomta, por garazhe moderne që do të prodhojnë energji të pastër dhe njëkohësisht do të lirojnë hapësirën publike nga kaosi aktual i parkimit,” deklaroi ai. Vendndodhjet e parashikuara për garazhet janë:
-
Karposh 2 dhe 4 – nga 120 vende të reja parkimi për secilën lagje,
-
Zona e ‘Mleçen’ – 90 vende,
-
Karposh 3 – 110 vende,
-
Vllae – 70 vende,
-
Kozle, pranë shkollës fillore “Vllado Tasevski” – mbi 100 vende të reja.
“Ky projekt nuk është vetëm për infrastrukturë të re, por për rikthimin e rendit në rrugë dhe kthimin e trotuareve tek ata që u takojnë – qytetarët. Këmbësorët do të mund të ecin pa frikë, prindërit me karroca s’do të kenë më nevojë të shmangin makina të parkuara, dhe fëmijët do të kenë rrugë më të sigurta,” tha Lukrovski.
Ai theksoi gjithashtu se këto zgjidhje do të jenë energjikisht të pavarura, duke e pozicionuar Karposhin si një komunë moderne, efikase dhe e përgjegjshme ndaj mjedisit.
“Ky është një thirrje për një rend të ri urban në Karposh – ku infrastruktura punon për qytetarët, e jo kundër tyre. Është koha që rrugët të jenë për qarkullim, trotuaret për ecje, dhe parkingjet për parkim – të organizuar, të sigurt dhe me dinjitet. Dhe kështu do të jetë,” përfundoi ai.