16.8 C
Skopje
Monday, October 13, 2025

Shteti i mbylli dhe i harroi: Nuk filloi mësimi në burgun e fëmijëve në Tetovë

Mësimi nuk ka filluar as këtë vit shkollor për fëmijët në Qendrën Përmirësuese në fshatin Vollkovijë apo i njohur ndryshe si burgu i fëmijëve në Tetovë, shkruan Portalb.mk.

Pavarësisht se klasat janë të rregulluara dhe të gatshme për mësim me kushte të mira, mësimi nuk po fillon, ndërkaq institucionet nuk marrin përgjegjësi për t’ua mundësuar këtë të drejtë themelore fëmijëve.

Portalb.mk kërkoi deklaratë nga shtëpia korrektuese, por nga atje thanë se për kështu deklaratash fillimisht duhet të marrim pëlqim nga Drejtoria për Zbatimin e Sanskioneve, të cilët nuk iu përgjigjën kërkesës tonë.

Megjithatë nga ky institucion për SDK kanë thënë se i kanë dërguar Ministrisë së Arsimit listat e nxënësve që duhet të ndjekin mësimin në arsimin fillor dhe të mesëm.

Por, nga Ministria e Arsimit nuk tregojnë se pse mësimi nuk ka filluar ende për fëmijët në këtë shtëpi korrektuese.

Për këtë problem alarmoi edhe ish Avokati i Popullit në Maqedoninë e Veriut, Naser Ziberi, në raportin e fundit për të drejtat e njerëzve dhe fëmijëve.

Ndryshe, të miturve që kanë rënë ndesh me ligjin në Maqedoninë e Veriut, shteti ndër vite iu shkel të drejtën për arsim të garantuar me Kushtetutë dhe Konventa Ndërkombëtare. Deri më tani, askush nuk mban përgjegjësi për këtë shkelje. Portalb-i në muajin shkurt vizitoi Qendrën Përmirësuese në fshatin Vollkovijë ku aso kohe qëndronin 26 fëmijë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit