Re të zeza, tym i dendur dhe erë e padurueshme për më shumë se një muaj janë përditshmëri për struganët. Qytetarët për Alsat ankohen se deponia joligjore në afërsi të qytetit por edhe deponi të tjera të vogla vazhdimisht digjen dhe e ndotin ajrin.
„Në Strugë tashmë nuk jetohet, nuk ka ujë, ajri është i ndotur. Struga dikur ishte qytet ku njerëzit vinin të pushojnë, të pastrojnë mushkëritë, ndërsa sot nuk e di çfarë po ndodh me qytetin, me kryetarët e komunave dhe me njerëzit“, tha një qytetar.
„Po marrim frymë me zor, ajër i keq, nuk kemi ujë, kjo është marrëzi“, u shpreh një tjetër qytetar.
Qytetarët një ditë më parë përmes protestës paqësore iu bën thirrje institucioneve kompetente të gjejnë urgjentisht një zgjidhje për problemin e ndotjes.
„Me tym, me erë të keqe, ja kështu jetojmë. Nuk mund ta hapim dritaren në mbrëmje që të ajroset, gjatë ditës rrobat marrin erë të gjitha edhe pse të lara“, shtoi një tjetër.
„Vetëdija partiake dhe interesat partiake duhet të lihen pak mënjanë, sepse ato janë interesa vetëm të individëve, për të cilët nuk e kam të qartë nëse fëmijët e tyre e thithin këtë ajër, dhe nëse ata vetë e thithin këtë të njëjtin ajër“, tha një qytetar.
Deponia ndodhet 500 metra larg shtëpive të para në Strugë dhe pranë liqenit të Ohrit kurse më shumë se 40,000 ton mbeturina të të gjitha llojeve depozitohen çdo vit. OJQ-të kanë dorëzuar disa padi ndaj institucioneve në gjykatat e vendit por edhe në Strazburg për mos zgjidhjen e problemit të ndotjes./Alsat.mk