19.8 C
Skopje
Friday, September 26, 2025

Vardari në Gostivar është shndërruar në deponi, komuna paralajmëron gjoba

Lumi Vardar në Gostivar është shndërruar në deponi. Në disa pjesë, shtrati i lumit ka nxjerrë në pah mbetje të forta, metale, goma, plastika madje edhe teknikë të bardhë. Qytetarët thonë se këtë e bëjnë njerëzit e pandërgjegjshëm, ndërsa nga komuna thonë se shtrati është pastruar vitin e kaluar, ndërsa do të fillojnë me shqiptimin e gjobave për ta ndaluar këtë dukuri.

“Rënia e nivelit të ujit në lumin Vardar këtu në qytetin e Gostivarit, nxori në shesh të gjitha të palarat e këtij lumi. Siç e shihni, në këtë lum mund të gjenden nga teknika e bardhë, thasë me mbetje, kosha të thyer plehrash dhe plastika të ndryshme. E gjitha kjo, si pasojë e disa qytetarëve të pandërgjegjshëm të cilët, në vend se të hedhin mbetjet aty ku e kanë vendin, ata i hedhin në shtratin e lumit, duke e kthyer atë në një deponi gjigante”, deklaroi Bashkim Sulejmani, gazetar.

Banorët thonë se nuk mbanë mend për herë të fundit kur është pastruar shtrati i lumit, ndërsa druajnë edhe nga paraqitja e ndonjë sëmundjeje nga e gjithë kjo papastërti.

“Është shumë mirë për të hedh mbetjet ne. Se po ta pastrojnë nuk do mund të hedhin pastaj mbetjet. As në Palestinë nuk gjen vend më të pistë se këtu, ja këtu në mes të Gostivarit. Kjo hidhet që atje ku janë lartë shtëpitë dhe i sjell uji, se po të hedh unë nga poshtë nuk vijnë përpjetë mbetjet. Hedhin gjithë pjesa e epërme”, tha Bashkim Sulejmani, gazetar.

“Duhet të rregullohet kjo, duhet të pastrohet, të pastrohet komplet dhe mos të hedhin populli. Nuk mbaj mend kur është pastru për herë të fundit. Këtë e pastron vetëm uji kur mbushet shtrati më shumë”, tha një banor.

Në komunën e Gostivarit ngrenë supet. Qyteti ka shumë deponi të egra thotë Zudi Xhelili, udhëheqës i Sektorit për mjedis jetësor. Xhelili thotë se një vit më parë, shtrati i lumit është pastruar madje janë prerë edhe drunjtë dhe gjelbërimi që të mos vjen deri tek vërshimet, por sërish lumi rezulton i mbushur. Paralajmërojnë dënime për ata që krijojnë deponi ilegale.

“Theks i veçantë është vënë tek inspektimi dhe dënimet, sepse çështja e deponive përsëritet vazhdimisht, ne pastrojmë por dikush i krijon. Pa marrë masa ndëshkuese nuk besojnë të kemi rezultate”, deklaroi Zudi Xhelili, Udhëheqës i Sektorit për Mjedis Jetësor në Komunën e Gostivarit.

Sipas të dhënave nga Sektori i mjedisit jetësor të komunës së Gostivarit, ky qytet ka madje 58 deponi ilegale në gjithë territorin e qytetit. Drejtoresha e Ndërmarrjes Publike Komunale të Gostivarit, në prononcimin e saj të fundit për Alsat, tha se problem në vete është edhe mungesa e punëtorëve për tu përballur me mbeturinat në Gostivar. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit