Kryeministri Hristijan Mickoski e ka të paqartë idenë e LSDM-së që nga opozita të prezantojë draft rezolutë për siç thotë, gjoja mbrojtjen e interesave të shtetit. Ai thotë se nëse më herët luftonin për të mbrojtur pushtetin, tani nga opozita rrezikojnë pozitat e shtetit.
Për Mickoskin, rezoluta e LSDM-së përmban shumë falsifikime historike, siç janë periudha e pranimit të gjuhës maqedonase në OKB, dhe emri i shtetit kur shteti e mori datën e negociatave në vitin 2005.
“Ne kemi qëndrime të qarta, garanci! Të cilat i përmendi dhe kryetari i Këshillit Evropian sepse populli maqedonas dhe populli i Maqedonisë, pa dallim të përkatësisë etnike shumë dhanë në emër të së ardhmes evropiane, si asnjë popull tjetër. Mund të fillojmë nga shekulli 18-19 e këtej. Tani të mos flas më. Pa garanci të tillë, as në mend nuk më vie që të mendoj për çfarë do ndryshime kushtetuese”, tha Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Ndërkohë nga LSDM bëjnë thirrje që kjo temë të mos keqpërdoret për pikë politike sepse qëllimi i tyre është bashkimi për interesa shtetërore. Presin mendime nga të gjitha partitë politike.
“Edhe një herë do ta potencoj dhe shpresoj se ky apel do të arrijë deri te të gjithë sepse bëhet fjalë për propozim rezolutë e cila shërben për bashkim e jo për ndarje, e më së paku për përplasje politike. Është propozim rezolutë që është përgatitur me qasje serioze, me ekspertë dhe shumë preciz. Për këtë shkak duam të lëmë kohë që ta shqyrtojnë të gjitha partitë politike dhe më pas të prononcohen pasi me vëmendje ta shqyrtojnë rezolutën”, u shpreh Bogdana Kuzeska – Zëdhënëse e LSDM-së.
Kreu i socialdemokratëve Filipçe, tha dje se ndër çështjet kryesore që përmban rezoluta, është respektimi i veçantisë identitare dhe zbatimi i ndryshimeve kushtetuese. Veçantitë gjuhësore, identitare, historike dhe kulturore të popullit maqedonase, nuk guxojnë të negociohen me BE-në ndërsa ndryshimet kushtetuese duhet të realizohen më së voni deri më 10 shkurt 2026, thuhet në rezolutën e dorëzuar nga LSDM.