Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se gjashtë ligjet për reformat në sistemin e drejtësisë, që janë kërkesë e Komisionit Evropian, do të miratohen, mirëpo jo edhe rritja e planifikuar e pagave të prokurorëve dhe gjykatësve. Pagat e tyre, do të përpilohen në krahasim me pagat në pesë vende anëtare të BE-së.
“Do të fillojmë një serial të tërë të rasteve se si gjykuan disa gjykatës dhe si akuzuan disa prokurorë. Pastaj le të vendosë opinioni a meritojnë dhe le të spiunojnë nëpër Bruksel se qeveria nuk ua rrit rrogat. Edhe ata në Bruksel le të vendosin a meritojnë këto njerëz t’u rriten rrogat”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Kryeministri thotë se megjithatë do të rriten rrogat e administratës së gjykatave dhe prokurorive dhe do të bëhen punësime të reja pas zgjedhjeve.
“Askush nuk është kundër ndryshimeve të ligjeve për shërbime të prokurorisë dhe të gjyqësorit. Ata janë dy ligje me të cilët për administratën e Gjykatave dhe Prokurorive do t’i rrisim rrogat dhe këtë do ta bëjmë. Kjo është pjesë e negociatave që bëjmë me sindikatat dhe jemi të gatshëm ta bëjmë atë. Diskrepanca është 5 ose 7 në raport me 1 mes asistentëve dhe ndihmësve si dhe prokurorëve dhe gjykatësve. Fillimisht duhet të pastrohen mbetjet e shkuara. Tani për fat të keq nuk mundemi sepse jemi në zgjedhje por planifikojmë menjëherë pas zgjedhjeve dhe kjo është pjesë e planit të rritjes”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Ligjet reformuese në sistemin e drejtësisë janë kusht i vendosur nga Bashkimi Evropian që lidhet me marrjen e fondeve nga plani për rritje. Maqedonia nuk kapi afatin e parë të qershorit për miratimin e tyre, por ka në dispozicion edhe një periudhë grejs deri në dhjetor.