Më 17 shtator 2025, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut do të shqyrtojë kushtetutshmërinë e Rregullores së Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), e cila kërkon të paktën dy nënshkrime për mbështetjen e kandidatëve të pavarur në zgjedhjet lokale të tetorit.
Kundër kësaj rregulloreje kanë reaguar Shoqata “Kongresi Botëror Maqedonas” dhe Stevçe Stojanov, të cilët pretendojnë se KSHZ ka tejkaluar kompetencat e saj ligjore. Sipas tyre, vendosja e kushteve të tilla është përgjegjësi e Kuvendit dhe jo e një institucioni administrativ. Ata theksojnë se kjo rregullore bie ndesh me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor.
Gjykata ka njoftuar se për shkak të interesit të madh publik, çështja do të jetë pjesë e rendit të ditës në seancën e nesërme. Parashtruesit theksojnë se miratimi i kësaj rregulloreje gjatë afateve zgjedhore, pa bazë të qartë ligjore, përbën ndërhyrje në të drejtën qytetare për pjesëmarrje në funksione publike.
Sipas rregullores së miratuar më 17 gusht, për të kandiduar si i pavarur në zgjedhjet lokale të 19 tetorit (rrethi i parë) dhe 2 nëntorit (rrethi i dytë), kërkohen dy nënshkrime nga zgjedhës të regjistruar. Kjo ka nxitur debat mbi legjitimitetin dhe kushtetutshmërinë e vendimit të KSHZ-së.