Më 7 tetor, pritet të ketë një aktgjykim në rastet kur kryetari i Strugës Ramiz Merko, akuzohet për emërimin e paligjshëm të drejtorëve për Shkollën Fillore “Vëllezërit Milladinovi” në Strugë dhe “Zini Hani” në Veleshtë. Në rastin e Veleshtës, Merko është i pandehuri i dytë nga gjithsej katër persona. E akuzuara e parë është Egzona Shei, e cila dyshohet se ka përdorur dy dokumente publike të falsifikuara si të vërteta, të cilat i ka përdorur për të dhënë provimin profesional në Qendrën Shtetërore të Provimeve. Tre të tjerët, Merko, drejtori dhe ndihmësdrejtori, pranuan dokumentet e falsifikuara në procedurën për marrjen e provimit profesional, punësimin si mësuese, por edhe për emërimin e saj si u.d. drejtoreshë nga data 19.04.2022 deri më 06.09.2023. Para se të bëhej drejtoreshë, ajo ka punuar si mësuese e gjuhës frënge dhe lëndëve të tjera, por ende e pa diplomuar në fakultet, vetëm me certifikatë absolventi.
“Kur postieri më solli një ftesë nga Gjykata, atëherë zbulova se kishte diçka që nuk shkonte me dokumentet që kam marrë nga Institucionet, të gjitha vërtetimet dhe dokumentet që kam marrë nga njerëzit në Institucione nuk më paralajmëronin se ishin të rreme, përndryshe nuk do t ‘i kisha përdorë”, tha Egzona Shei – ish-drejtoreshë në Shkollën Fillore, Zini Hani Veleshtë.
Ajo madje pretendon se në Strugë ka edhe punësime të tjera në këtë mënyrë. Avokati i Sheit thotë se lëshimi është bërë tek ai që ka dhënë këto dokumente
“Me deklaratën e sotme të saj, dhe nga të gjitha provat e bashkangjitura në aktakuzë, është e qartë se asnjë nga ato që renditen si akt i kryerjes së veprës penale nuk qëndron. Nëse dikush ka bërë diçka të gabuar, është ai që ka lëshuar disa dokumente për të cilat ajo është akuzuar, te të cilat nuk ka prova se ato janë dokumente të rreme”, tha Dimitrije Coboski – avokat i Egzona Sheit.
Merko njoftoi se do të dëshmojë kur do të dëgjohet dëshmitari i fundit. Prokuroria Publike tashmë ka ankimuar vendimet e mëparshme të gjyqtarit Jordan Jovanov.