Maqedonia e Veriut po përballet me një situatë të vështirë zjarresh, pasi deri më 10 shtator 2025, janë regjistruar gjithsej 24 zjarre në hapësira të hapura. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, 6 prej këtyre zjarreve janë aktive, ndërsa 2 janë nën kontroll dhe 16 janë shuar.
Zjarret aktive po përhapen në disa komuna të vendit, përfshirë Likovën, Gazi Babën, Studeniçanin, Strugën, Kumanovën dhe Krushevën. Në komunat e Likovës dhe Gazi Babës, zjarret po shkatërrojnë pyje të degraduara me drunj të ulët dhe lis, ndërsa në Studeniçan, zjarri ka shpërthyer në deponinë Drislla, ku digjen mbeturina.
Komuna e Strugës po përballet me zjarre në fshatrat Tatesh, Bogojca dhe Maslodezhdë, të cilat kanë përfshirë pyje pishash. Po ashtu, zjarre janë aktivizuar edhe në Komunën e Kumanovës, në fshatin Llubodrag, si dhe në Komunën e Krushevës, në fshatin Norovë, ku zjarri ka përfshirë vegjetacion të ulët dhe pjesërisht pyll me lis.
Në disa komuna të tjera, si Dellçevë dhe Krushevë, zjarri ka shpërthyer në deponi mbeturinash, por këto janë nën kontroll. Sipas autoriteteve, situata është kritike në disa zona dhe po punohet intensivisht për të vënë nën kontroll flakët.
Qendra për Menaxhim me Kriza ka kërkuar kujdes dhe mbështetje nga qytetarët për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarreve, duke theksuar se gjithsej 16 zjarre janë shuar në komunat e Prilepit, Kumanovës, Gostivarit, Berovës dhe Strugës.
Kjo situatë ka ngjallur shqetësim të madh tek banorët e këtyre rajoneve, të cilët janë të detyruar të përballen me kushte të vështira, ndërsa ekipe të zjarrfikësve dhe autoritetet po përpiqen të stabilizojnë situatën.