Mark Zuckerberg ka shpallur se epoka e smartfonëve është drejt fundit. Sipas tij, këto pajisje do të zëvendësohen nga syzet inteligjente, një teknologji më e thjeshtë, më afër trupit dhe më diskrete.
Kreu i Meta beson se ky ndryshim është i pashmangshëm, pasi syzet janë tashmë një aksesor i zakonshëm. Ato do të ofrojnë një mënyrë krejt të re për të përjetuar teknologjinë, duke ofruar jo vetëm shfaqjen e njoftimeve, por edhe mundësi të reja për komunikim dhe përjetim të realitetit të shtuar.
Sipas Zuckerberg, përfitimi i parë do të jetë fizik – më pak mundësi për të mbajtur duar të zëna dhe kokën ulur mbi ekran. Meta ka tashmë produktet Ray-Ban Stories dhe Ray-Ban Meta, që mundësojnë regjistrimin e videove, përkthim në kohë reale dhe shumë më tepër.
Zuckerberg parashikon që brenda një dekade, ne nuk do të kemi më nevojë të nxjerrim telefonin nga xhepi, pasi gjithçka do të realizohet përmes syzeve. Megjithatë, pengesa kryesore mbetet çmimi, por Meta është duke investuar miliarda për të bërë këtë teknologji më të aksesueshme për masat.