23.8 C
Skopje
Tuesday, September 23, 2025

Përgjimet e paligjshme, sfidë e hapur për institucionet në Maqedoninë e Veriut

Informacionet e fundit nga Agjencia Kombëtare për Siguri se gjatë periudhës 2019-2025 është përgjuar dhe ndjekur opozita e asaj kohe e udhëhequr nga Hristijan Mickoski, bashkë me disa gazetarë e biznesmenë, janë vetëm një shtresë e re mbi bindjen se në Maqedoni, gjithmonë dikush, dikë përgjon në mënyrë të paligjshme.
Drejtori aktual i ASK-së, Bojan Hristovski ka dërguar materiale në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nën dyshimin se në kohën kur me Agjencinë ka udhëhequr Viktor Dimovski, janë kryer ndjekjet e paligjshme. Dyshohet që ndjekja operative është kryer nga një grup brenda ASK-së, të cilët krahas përgjimit, kanë kryer edhe ndjekje fizike dhe me dron, por edhe aktivitete tjera. Madje, grupi dyshohet se ka penguar dhënien e certifikatës së sigurisë për një deputet të opozitës. Megjithatë, rasti ka mbetur në duar të Prokurorisë, ndërsa institucionet nuk zbulojnë të dhëna të detajuara nën arsyetimin se materialet janë “Sekret shtetëror”.
Rasti i këtillë, na rikujton se disa herë, Maqedonia është tronditur nga aferat e keqpërdorimit të burimeve dhe institucioneve shtetërore për të përgjuar kundërshtarët politikë, gazetarët, aktivistët apo qytetarët. Por 34 vite pas pavarësisë, kjo njollë e zezë në petkun e sistemit demokratik dhe konsolidimit institucional, nuk po pastrohet. Në vend që instrumenti i ndjekjes apo përgjimit, të shfrytëzohet për nevojat e përshkruara me ligj, respektivisht për të zbuluar krime dhe mbrojtur sigurinë e vendit dhe qytetarëve, në Maqedoni disa herë është zbuluar se në fakt, institucionet kanë përgjuar për të mbrojtur pushtetarët.

Kështu ka ndodhur edhe para 24 vitesh kur shpërtheu afera “Veshi i madh”, pasi u zbulua se Ministria e Punëve të Brendshme kishte përgjuar qindra politikanë, gazetarë e madje dhe diplomatë. Aferën e pati zbardhur lideri i atëhershëm opozitar Branko Cërvenkovski, në kohën kur me Qeverinë udhëhiqte Lubço Georgievski. Për aferën u hap hetim në Prokurori, të udhëhequr nga prokurori Marko Zvërlevski, i cili me ngulm insistonte të dinte personin që ia kishte dhënë materialet Cërvenkovskit. Dyshohej që materialet, kishin rrjedhur nga Zoran Verushevski, ish drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim. Për përgjimin si porositës u akuzuan, ministrja e Brendshme, Dosta Dimovska dhe eprori i Drejtorisë për Teknikë Operative në MPB, Aleksandar Cvetkov.

Megjithatë, afera u mbyll pasi që presidenti i atëhershëm Boris Trajkovski i fali të dy të akuzuarit. Të dëshpëruar nga sistemi, gazetarët e përgjuar e paditën shtetin në Strasburg, ku e fituan rastin.

Por shteti nuk mori leksionet nga ky rast, në vitin 2015-të, shpërtheu afera tjetër e quajtur “E vërteta për Maqedoninë” apo “Bombat e Zaevit”. Lideri i atëhershëm opozitar, Zoran Zaev, kishte arritur të sigurojë audio-materiale apo biseda të përgjuara në mënyrë të paligjshme nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim e udhëhequr nga Sasho Mijallkov, derisa kryeministër ishte Nikolla Gruevski. Përgjimet, kishin rrjedhur Gjorgji Llazarevski dhe Zvonko Kostovski, dy ish të punësuar në DSK, ndërsa i përfshirë kishte qenë dhe Zoran Verushevski. Përgjimet ishin të periudhës kohore 2008-2015, ndërsa përveç politikanëve dhe gazetarëve, dyshohej që ishin përgjuar mbi 20.000 qytetarë. Për shkak të përgjimeve u shkaktua krizë politike në vend dhe për këtë u nisën bisedimet e ashtuquajtura të Përzhinës, ku liderët e partive VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH, të ndërmjetësuar nga përfaqësues të faktorit ndërkombëtar arritën marrëveshje, me të cilën u hap rruga për t’u formuar Prokuroria Speciale Publike që do t’i ndiqte veprat penale nga këto përgjime. Megjithatë, presidenti Ivnaov nëpërmjet një vendimi skandaloz i fali 56 funksionarë të dyshuar në lëndët e kësaj Prokurorie. Prokuroria hapi disa hetimi, por për ironi ajo u shua pasi kryeprokurorja Katica Janeva u kap në aferën “Reket” dhe u dënua për korrupsion. Krahas kësaj, shteti kishte marrë për obligim që të bënte reforma në sistemin e sigurisë dhe si pasojë u shua DSK-ja dhe u themelua ASK. Por kjo, nuk e ndali praktikën e përgjimeve të paligjshme.

Ndër më të bujshmet, gjithashtu ishte edhe afera e vitit 2018-të, kur kryeprokurori Lubomir Joveski njoftoi se kishte zbuluar një sistem përgjimi brenda objektit të organit të akuzës që prej vitit 2016-të kishte regjistruar në mënyrë të paligjshme bisedat e centralit të telefonisë fikse të Prokurorisë. Megjithatë, askush për këtë rast nuk u ndoq penalisht.

Aferat dhe situatat e këtilla kanë bërë që në Maqedoni të ketë dyshime të vazhdueshme se gjithmonë dikush përgjohet në mënyrë të paligjshme, edhe pse, mbrojtja e privatësisë është e garantuar me Kushtetutë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit