22.8 C
Skopje
Wednesday, September 24, 2025

Muhamed Elmazi me ide ndryshe, shpërblimi i nxënësve me patentë shofer!

Shkup, 29 gusht – Në politikën lokale jemi mësuar të dëgjojmë premtime të zakonshme si asfalt, ndriçim, kanalizim. Por shumë rrallë dëgjojmë ide që kapin drejtpërdrejt ëndrrat dhe nevojat e brezit të ri. Pikërisht këtë po sjell kandidati për kryetar të Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi nga VLEN, me një premtim që duket i thjeshtë por është një risi absolute, me çka çdo vit 20 nxënësit më të dalluar të shkollave të mesme do të shpërblehen me mbulimin e plotë të shpenzimeve për marrjen e patentë shoferit, shkruan Zhurnal.

Pse kjo ide është ndryshe?

Në radhë të parë ky premtim nuk është thjesht një gjest simbolik. Marrja e patentës së shoferit është një hap konkret drejt pavarësisë personale dhe mundësive të reja për të rinjtë. Në një kohë kur të rinjtë shpesh e shohin politikën si të shkëputur nga realiteti i tyre ky premtim i prek ata atje ku kanë nevojë më së shumti në prag të hyrjes në jetën e rritur, në lirinë e lëvizjes dhe në ndjenjën e vlerësimit për suksesin e tyre.

Kjo ide është e pazakontë jo vetëm për Sarajin, por edhe për Maqedoninë e Veriut e rajonin më gjerë. Asnjëherë deri tani nuk është menduar për një formë të tillë motivimi që bashkon shpërblimin konkret me vlerësimin për arritjen shkollore.

Prej dekadash, në politikën shqiptare kemi parë se shpërblimet shpesh janë të lidhura me klientelizmin dhe jo me meritën. Elmazi po e thyen këtë logjikë ai po thotë “Më i miri duhet të shpërblehet, jo më i afërti i partisë.” Ky është një mesazh i fuqishëm që përforcon kulturën e meritokracisë, aq e munguar në institucionet tona.

Saraji si model për rininë – 

Nëse kjo ide zbatohet ajo mund të shërbejë si model edhe për komunat e tjera. Një politikë e vogël në dukje por me ndikim të madh, mund të transformojë mënyrën si të rinjtë e perceptojnë komunën e tyre jo si një vend ku ndalen ëndrrat por si një hapësirë ku ata motivohen dhe vlerësohen.

Premtimi i Muhamed Elmazit nuk është thjesht një lehtësim financiar për disa nxënës është një ide vizionare që sjell frymë të re në politikën lokale. Ai tregon se politika mund të jetë kreative, se mund të lidhet me realitetin e të rinjve, dhe mbi të gjitha se meritokracia mund të zëvendësojë klientelizmin.

Kujtojmë që, në një vend ku politika shpesh shihet si e vjetër dhe e konsumuar një ide si kjo është sinjal se ka hapësirë për një qasje ndryshe. Prandaj, ky është fillimi i një kulture të re politike ku të rinjtë nuk janë vetëm votues të ardhshëm por aktorë të motivuar e të shpërblyer për punën dhe suksesin e tyre. /Zhurnal.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit