Tre personat që dje e rrahën për vdekje një 43-vjeçar para një kazinoje në Kavadar do t’i nënshtrohen ekspertizës psikiatrike dhe, nëse kjo tregon se me vetëdije kanë dashur t’ia marrin jetën, ata do të ndiqen për vrasje. Këtë e njoftoi sot Prokuroria, nga ku theksuan se për momentin tre personat janë të dyshuar për – lëndim të rëndë trupor me pasoja vdekjeprurëse. Konfliktit që përfundoi me rrahje fatale i kishte paraprirë një përleshje në kazino.
“Personat kanë dalë jashtë, e kanë sulmuar fizikisht dhe e kanë goditur me grushte dhe shqelma në të gjithë trupin dhe kokë. I dëmtuari është përpjekur të hyjë në kazino, por ka humbur vetëdijen. Nga goditjet i janë shkaktuar disa lëndime të rënda trupore, nga të cilat ka ndërruar jetë. Gjatë procedurës hetimore do të sigurohen të gjitha provat dhe do të kryhet ekspertizë psikiatrike e të dyshuarve, dhe nëse konstatohet se ata kanë qenë të vetëdijshëm dhe kanë pasur për qëllim t’ia marrin jetën të dëmtuarit, është e mundur që vepra të rikualifikohet në vrasje”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike (PTHP).
Një ditë më parë edhe policia doli me njoftim për ngjarjen, nga ku u zbulua se personat që e sulmuan 43-vjeçarin ishin të moshës 26, 27 dhe 35 vjeç. Motivet e rrahjes me pasojë vdekjen për momentin nuk dihen, ndërsa prokurori publik dje urdhëroi edhe autopsi të trupit të të ndjerit. /Alsat.mk