12.8 C
Skopje
Sunday, October 12, 2025

Shkyçja e bizneseve nga energjia elektrike, kërkohen masa: ZRRE po shkatërron prodhimin dhe ekonominë

Kompania për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS) në Kosovë ka bërë të ditur të shtunën se ka filluar shkyçjen e rreth 450 bizneseve nga rrjeti, për shkak të përfundimit të afatit të përcaktuar që ato të lidhin marrëveshje me furnizues tjerë të energjisë.

Veprimi ka nxitur reagime te shumë biznese. Përfaqësues të Odës Ekonomike dhe shoqatave të tjera paralajmëruan pasoja të rënda, si humbja e mbi 20 mijë vendeve të punës, mbyllja e aktiviteteve biznesore e rritja e çmimeve

Së fundmi ka reaguar Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) duke e cilësuar si  veprim të jashtëligjshëm, arbitrar dhe shkatërrues për ekonominë e vendit.

Sipas LBK-së, këto masa godasin rëndë prodhimin vendor, minojnë besimin e investitorëve të huaj, dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe cenojnë mirëqenien e qytetarëve.

“Bizneset që përbëjnë 56% të ekonomisë dhe punësojnë mbi 140 mijë persona nuk duhet të përballen me masa të padrejta dhe të paarsyeshme. Ky vendim i sotëm nuk i shërben Kosovës – përkundrazi, i shërben interesave të individëve të caktuar dhe shteteve fqinje”, thuhet në reagimin e LBK-së.

Organizata i ka bërë thirrje spektrit politik, Presidentes dhe Kryeministrit në detyrë që të ndërhyjnë menjëherë, duke kërkuar: Formimin e institucioneve sa më shpejt, shkarkimin e bordit të ZRRE-së dhe ndalimin e menjëhershëm të ndërprerjes së energjisë për bizneset.

LBK apelon për rikthim në dialog me komunitetin e biznesit, në mënyrë që tranzicioni drejt tregut të lirë të energjisë të bëhet i drejtë, i planifikuar dhe në funksion të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.

“ZRRE me vendime arbitrare po shkatërron prodhimin dhe ekonominë e Kosovës. Kërkojmë ndaljen e menjëhershme të këtyre veprimeve dhe dialog me bizneset”, përfundon reagimi.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit