Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë zgjatur “armëpushimin” tregtar për 90 ditë të tjera, vetëm pak orë para se të dyja ekonomitë më të mëdha në botë të planifikonin rritje të tarifave ndaj njëra-tjetrës.
Tarifat më të larta do të pezullohen edhe për 90 ditë të tjera, kanë bërë të ditur zyrtarët e Pekinit dhe Uashingtonit përmes një deklarate të përbashkët, ku bisedimet e muajit të kaluar kishin përfunduar duke u kualifikuar si konstruktive.
Të hënën, presidenti amerikan Donald Trump firmosi një urdhër ekzekutiv për të vazhduar pauzën deri më 10 nëntor ndaj Kinës, ndërsa Pekini konfirmoi gjithashtu se do të vazhdojë pezullimin e tarifave ndaj SHBA-së, e cila do të thotë që SHBA-të do të mbajnë taksën mbi importet kineze në 30%, ndërsa Kina do të mbajë tarifën prej 10% mbi mallrat amerikane.
Në fillim të këtij viti, Uashingtoni kishte kërcënuar me tarifa deri në 145% për mallrat kineze, dhe Pekini iu kundërpërgjigj me tarifa prej 125% për dërgesat amerikane.
Tensionet tregtare midis dy vendeve arritën kulmin në prill, kur Trump shpalli tarifa të reja për disa nga vendet e botës, me Kinën që u përball me taksat më të larta.
Pekini iu përgjigj me tarifa të larta SHBA-së, duke shkaktuar një luftë tregtare “dhëmbë për dhëmbë” që pothuajse mbylli tregtinë midis dy vendeve.
Shtëpia e Bardhë tha se zgjatja e fundit e “armëpushimit” tregtar do të japë më shumë kohë për negociata të mëtejshme rreth “korrigjimit të çekuilibrave tregtarë” dhe “praktikave të padrejta tregtare”.
Edhe pse me “armëpushim”, flukset tregtare midis dy vendeve janë reduktuar ndjeshëm gjatë këtij viti.
Sipas statistikave amerikane, importet e mallrave kineze në SHBA u përgjysmuan në qershor krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa eksportet amerikane në Kinë ranë me rreth 20% gjatë gjashtë muajve të parë të vitit.
Të dyja palët vazhdojnë diskutimet rreth çështjeve, duke përfshirë aksesin në mineralet e rralla të Kinës, blerjet e naftës ruse nga ana e saj dhe kufizimet e SHBA-së në shitjet e teknologjisë së përparuar, duke përfshirë çipat, në Kinë.





