12.8 C
Skopje
Thursday, November 6, 2025

Shtyhet seanca kundër dilerit të drogës Rade Trajkovski- Shtekli

Gazetar: Mihajllo Donev

Dy psikiatër me diagnoza të ndryshme për Rade Trajkovski Shteklin. Gjykatësi Ilija Tërpkov ka shtyrë përsëri seancën për trafikimin e paligjshëm të drogës.

Një ekspert i angazhuar nga mbrojtja arriti në përfundimin se Shtekli nuk mund të ndjek seancat sepse ka pasur halucinacione tre vite dhe kishte instaluar kamerë në shtëpi nga frika se mafia shqiptare po e ndjek.

Nga ana tjetër, dëshmia e ekspertit, e porositur nga prokuroria ka treguar se Trajkovski është i arsyeshëm dhe i aftë për të ndjekur seancat. Avokati i Trajkovskit thotë se ai është jurist e jo psikiatër, dhe se do të udhëhiqet nga ajo që është shkruar në raportin e ekspertit.

“Unë jam laik në këtë fushë, nuk mund të komentoj ekspertizë mjekësore-psikiatrike. Nisem nga ajo që është shkruar në ekspertizën psikiatrike të ekspertit mjeko-ligjor, më saktë këshilltarit teknik, se për shkak të një sëmundje mendore ai nuk mund të marrë pjesë në seancat kryesore, që është kusht themelor për pjesëmarrje aktive, i akuzuari duhet të marrë pjesë aktive në procedurë kurse ekspertiza jonë është përgatitur një muaj e gjysmë më parë”, tha Sasho Dukovski, avokat i Rade Trajkovski- Shteklit.

Gjykatësi Tërpkov e shtyu seancën dëgjimore deri më 3 shtator, kur njoftoi se do të paraqiten gjetjet nga dy raportet e ekspertëve kurse gjykata më pas do të vendos nëse Trajkovski është i aftë të marrë pjesë në seanca apo jo.

Përveç Trajkovskit, nëntë persona të tjerë akuzohen për shitje të paautorizuara të drogës në këtë rast, ndërsa në seancën e sotme dëgjimore katër prej tyre pranuan fajin dhe procedura do të zhvillohet veçmas për ta.

Bëhet fjalë për Branisllav Zajkovin, Danço Masevin, Vlladimir Veselinovskin dhe Dimitar Trajçovin, të cilët akuzohen për shitje droge së bashku me Trajkovskin, kryesisht në lagjen Aerodrom të Shkupit. Aktakuza thotë se grupi ishte i organizuar mirë, me role të ndara qartë nga blerja deri te shitja e kokainës dhe marihuanës.

Droga është ruajtur në banesa me qira dhe është shitur me çmim prej 4500 deri në 6000 denarë për gram/kokainë dhe 200 deri në 300 denarë për gram/marihuanë. Ata kanë komunikuar përmes aplikacionit “Snapchat” kurse provat kryesore janë marrë përmes sistemit “selebriti” për analizë të telefonave, donacion nga Shtetet e Bashkuara./ Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit