Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Ekologjisë dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, bëri të ditur miratimin e propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Sigurim Pensional dhe Invalidor – një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të mirëqenies së pensionistëve në vend.
“Kjo nuk është një masë e izoluar, por vazhdimësi e politikave tona të mirëfillta sociale për të përkrahur kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve,” theksoi Mexhiti.
Sipas vendimit të ri, pensionet do të rriten me 1.000 denarë që nga shtatori i këtij viti, ndërsa një shtesë tjetër prej 1.000 denarësh do të aplikohet në mars të vitit 2026, duke sjellë një rritje të përgjithshme prej mbi 2.000 denarë.
Në vetëm nëntë muajt e parë të qeverisjes së re, pensionet janë rritur me 5.000 denarë për rreth 340.000 pensionistë, gjë që Mexhiti e cilësoi si “dëshmi të qartë se kjo qeveri nuk funksionon me premtime boshe, por me rezultate konkrete e të prekshme.”
“Kjo është qeverisje që vepron – për njerëzit, me njerëzit,” përfundoi Mexhiti.





