16.8 C
Skopje
Sunday, November 9, 2025

Ministri Toshkovski prezanton në Kuvend ndryshimet thelbësore në Ligjin për Policinë: Themel për reformë të plotë në MPB

 

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, para deputetëve në Kuvend prezantoi ndryshimet e propozuara në Ligjin për Punët e Brendshme dhe Ligjin për Policinë, duke i cilësuar ato si reformë të thellë dhe jo thjesht “kozmetikë ligjore”.

Sipas ministrit Toshkovski, këto ndryshime përfaqësojnë transformim të gjithanshëm të policisë – nga organizimi dhe sistemimi i brendshëm, deri te menaxhimi i karrierës, integriteti profesional dhe përgjegjësia në punë.

Në hartimin e ligjeve kanë marrë pjesë shërbimet profesionale të MPB-së, përfaqësues të sindikatave, ekspertë të pavarur juridikë si dhe partnerë ndërkombëtarë. Ai theksoi se rekomandimet e GRECO-s dhe analizat e OSBE-së janë integruar tërësisht në zgjidhjet ligjore të propozuara.

Pikat kryesore të Ligjit të ri për Punët e Brendshme përfshijnë:

Thjeshtim të klasifikimit të vendeve të punës;

Futjen për herë të parë të testit për aftësi udhëheqëse dhe pozitë të lartë;

Trajnim të detyrueshëm për çdo pozitë menaxhuese;

Test për integritet profesional, pa ndikim politik;

Krijimin e kuadrit juridik për pozitën e këshilltarëve;

Vendosjen e sistemit të menaxhimit të burimeve njerëzore – nga mobiliteti dhe sistemimi, deri te zhvillimi i karrierës.

Ndryshimet në Ligjin për Policinë përfshijnë:

Përcaktim të qartë të kritereve profesionale për drejtorin e Byrosë për Siguri Publike, që duhet të ketë përvojë ekskluzivisht në punë policore;

Hapjen e stacioneve të reja policore në Saraj dhe Ilinden, sipas nevojave të sigurisë dhe ndarjes territoriale;

Harmonizim të organizimit të brendshëm dhe rregullativës me konceptin e ri të menaxhimit në polici.

Ministri Toshkovski kritikoi ata që, siç tha, për arsye politike apo mungesë informacioni, përhapin dezinformata dhe kritikojnë pa bazë. “Ne mbetemi të përkushtuar ndaj thelbit – të ndërtojmë një institucion që punon sipas rregullave të qarta, vlerëson dijen dhe përgjegjësinë, dhe u shërben qytetarëve, jo interesave të politikës ditore,” theksoi ai.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit