Në një deklaratë të fuqishme publike, ish-deputeti dhe veprimtari Rafis Aliti ka ngritur zërin në mbrojtje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Hagë, duke i quajtur ata “djemtë e lirisë dhe themeli i shtetësisë sonë”. Aliti akuzon institucionet e Kosovës për pasivitet dhe heshtje të pajustifikueshme përballë një procesi që, sipas tij, po gjykon vetë shtetin e Kosovës.
“ATA NUK JANË JETIMË! ATA QË PO MBAHEN NË BURGUN E HAGËS JANË ÇLIRIMTARËT E KOSOVËS! Janë djemtë e lirisë, janë themeli i shtetësisë sonë”, – thuhet në deklaratë.
Aliti thekson se që nga momenti i arrestimit të Presidentit Hashim Thaçi, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, institucionet e Kosovës – përfshirë Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën – duhej të vepronin në mbrojtje të drejtësisë dhe të vetë shtetit të Kosovës, por përkundrazi, ata qëndruan duarkryq dhe madje “përshëndetën fshehtas arrestimet”.
“Këta pushtetarë ishin më të interesuar të zinin kolltuqet e institucioneve të një shteti të liruar me gjak e sakrifica, sesa të mbronin çlirimtarët e vendit të tyre,” – shkruan Aliti.
Ai ngriti shqetësimin se përballë këtij pasiviteti institucional, forca të jashtme si Moska dhe Beogradi, me ndihmën e njerëzve si Dick Marty dhe Carla Del Ponte, kanë ndikuar në krijimin e një gjykate të posaçme me motiv politik, që synon të dëmtojë procesin e shtetformimit të Kosovës.
Aliti vë theksin në kontrastin mes veprimit të shtetit të Kosovës dhe vendeve si Kroacia, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, të cilat kanë mbrojtur ushtarët dhe paramilitarët e tyre, duke i përkrahur financiarisht dhe politikisht – edhe në rastet kur ata janë akuzuar për krime kundër njerëzimit.
“Kosova, përkundrazi, injoroi çlirimtarët dhe familjarët e tyre, pa shfaqur asnjë interes për gjendjen e tyre shëndetësore apo materiale. Një qasje e dhimshme dhe e turpshme,” – deklaron Aliti.
Ai bën thirrje për reflektim kombëtar, duke theksuar se të mbrosh çlirimtarët nuk do të thotë të mohosh drejtësinë, por të mbrosh sakrificën, të vërtetën historike dhe vetë identitetin shtetëror të Kosovës.
🗣️ “Kosova duhet të reflektojë. Sakrifica e luftëtarëve të lirisë nuk guxon të shndërrohet në një mjet për të rrënuar shtetin tonë.” – Rafis Aliti





