6.8 C
Skopje
Monday, November 3, 2025

Do të rritet çmimi i autostradës Kërçovë – Ohër, e cila është 57 km e gjatë

Kredia për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër do të rritet – këtë e paralajmëroi kryeministri Mickoski një ditë pas inaugurimit të seksionit prej 20 kilometrash. Ai nuk specifikoi se sa do të jetë saktësisht korrigjimi i çmimit për autostradën, por si arsye përmendi stabilizimin e rrëshqitjeve të dheut, që më pas autostrada të përfundojë në fillim të vitit 2027.

“Segmenti nga Vërbjani deri në Kërçovë është gjithashtu me gjatësi prej 17 kilometrash dhe duhet të përfundohet sepse ka 10 rrëshqitje dheu. Në zonën pranë fshatit Botun ka edhe 6 të tjera, ndoshta më të mëdha dhe më sfiduese. Projektet janë tashmë të gatshme dhe pres që në muajin gusht të nisë realizimi i tyre. Për gjithçka që po flas është e nevojshme të rritet korniza e kredisë, sepse fatkeqësisht kjo nuk ishte parashikuar më herët”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Nga LSDM kritikojnë se kjo autostradë Kërçovë-Ohër ishte filluar nga VMRO-DPMNE pa i zgjidhur çështjet kyçe dhe ishte përdorur vetëm për promovim politik dhe fotografime, ndërsa sipas tyre, gjatë kohës kur LSDM ishte në pushtet, projekti është afruar drejt përfundimit.

 “LSDM e shpëtoi projektin nga kolapsi i plotë dhe e çoi drejt fazës finale, me zgjidhje të qëndrueshme dhe të sigurta për qytetarët dhe shtetin. U themi qytetarëve: autostrada Kërçovë–Ohër nuk është meritë e VMRO-DPMNE-së, por e punës, përgjegjësisë dhe vendosmërisë së LSDM-së për ta shpëtuar punën e tyre të dështuar dhe për ta përfunduar në interes të të gjithëve”, thonë nga LSDM.

Autostrada Kërçovë–Ohër filloi të ndërtohet që në vitin 2014, kur ishte planifikuar të kushtonte 374 milionë euro, por ka arritur tashmë gati 600 milionë euro. Fillimisht ishte parashikuar të përfundohej për katër vjet, por afati i ndërtimit është shtyrë disa herë. Ky seksion konsiderohet si një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në kuadër të Korridorit Pan-Evropian 8. /TV21/

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit