Sipas tij, me këtë veprim, SHBA-të kanë “hyrë drejtpërdrejt në luftë duke shkelur sovranitetin e Iranit Islamik dhe duke prekur tokën e shenjtë të vendit tonë.”

Paralajmërime të forta janë bërë edhe nga zëdhënësi i komandës qendrore të forcave të armatosura, Ibrahim Zolfaqari, i cili në një video të publikuar nga agjencitë shtetërore Fars dhe Mehr, tha: “Do të përgjigjemi me operacione të fuqishme dhe të synuara që do të sjellin pasoja të rënda, të paparashikueshme dhe të dhimbshme.”

Zolfaqari shtoi se sulmi amerikan jo vetëm që ishte “i kotë”, por “do të zgjerojë fushën e objektivave legjitime për ushtrinë iraniane dhe do të hedhë themelet për zgjerimin e luftës në të gjithë rajonin.”

Në fund të deklaratës, Zolfaqari, duke kaluar në gjuhën angleze, drejtoi një mesazh personal ndaj Presidentit të SHBA-së: “Trump kumarxhiu, ti mund ta fillosh këtë luftë, por ne do të jemi ata që do ta përfundojmë atë.”

Deri më tani, nuk ka pasur ende një reagim publik nga udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, megjithëse pritjet janë që një deklaratë e tij të përcaktojë vijën e ardhshme të qëndrimit iranian, transmeton albinfo.ch.