11.8 C
Skopje
Thursday, November 6, 2025

Ali Ahmeti uron Memli Krasniqin për rizgjedhjen në krye të PDK-së

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka uruar Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, për rizgjedhjen e tij në krye të kësaj partie.

Në një letër urimi, Ahmeti vlerësoi procesin demokratik të rizgjedhjes si dëshmi e pjekurisë politike dhe e vlerave që PDK përfaqëson në skenën politike të Kosovës. Ai theksoi guximin dhe përkushtimin e Krasniqit për të marrë përgjegjësi në kohë sfiduese, duke ndjekur rrugën e trasuar nga themeluesit dhe udhëheqësit historikë të partisë, të cilët – siç theksoi – priten të kthehen fitimtarë.

“Kosova ka nevojë për zërin, urtësinë dhe përvojën e tyre,” shkruan Ahmeti, duke shtuar se shpreson që ata të jenë sërish së shpejti në mesin e qytetarëve.

Ahmeti theksoi se BDI dhe PDK ndajnë vlera të përbashkëta të demokracisë, lirisë dhe aspiratës për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

“Do të më kesh gjithmonë mua dhe Bashkimin Demokratik për Integrim si partnerë të përkushtuar për bashkëpunim të ndershëm dhe të frytshëm,” u shpreh ai, duke shtuar se për të dhe për BDI-në, “Kosova nuk është vetëm tokë e një shteti të ri, por është zemër, kujtim dhe përmbushje e ëndrrave shumëgjeneratëshe.”

Në fund, Ahmeti i uroi Krasniqit shëndet, suksese dhe mbarësi në udhëheqjen e misionit për të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe stabilitetin e rajonit.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit