11.8 C
Skopje
Thursday, November 6, 2025

Bdi reagon për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat

Shkup – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj një projektligji të ri për përfaqësim të drejtë, që u shfaq në media si një “balon prove” me synim testimin e reagimeve publike. Sipas BDI-së, ky propozim nuk përfaqëson përparim, por një regres të rrezikshëm që minon themelet e rendit kushtetues multietnik të vendit.

Në vend që të fuqizojë përfaqësimin cilësor të komuniteteve në institucionet shtetërore, projektligji i ri – sipas partisë – zbeh edhe mekanizmat ekzistues që siguronin përfaqësim sasior për komunitetet jo-shumicë.

“Ky propozim është në konflikt të drejtpërdrejtë me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe ndryshimet kushtetuese që burojnë prej saj. Nuk e mbron, por e minon parimin e përfaqësimit të drejtë,” thuhet në reagimin e BDI-së.

BDI gjithashtu e sheh këtë veprim si realizim të një premtimi parazgjedhor të VMRO-së dhe koalicionit ZNAM për të shfuqizuar garancitë ligjore për punësim të drejtë në sektorin publik. Sipas tyre, pas shfuqizimit të Balancuesit, janë parë valë punësimesh ku përfaqësimi i komuniteteve jo-maqedonase ka qenë minimal apo inekzistent.

“Nuk na habit ky qëndrim, por ajo që na indinjon është mënyra e lehtë me të cilën mbetjet e VLEN-it në qeveri po pranojnë këtë përulje të pozitës së shqiptarëve – dhe komuniteteve të tjera jo-shumicë,” thuhet më tej në deklaratë.

BDI bën të ditur se do të përdorë çdo mjet ligjor dhe demokratik për të ndalur, siç e cilësojnë ata, një tentativë për të instaluar një dominim monoetnik institucional.

“U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të komuniteteve të bashkohen në këtë betejë – përmes debatit publik, amendamenteve dhe mekanizmit të shumicës së Badenterit – për të ndalur një ligj që rrezikon multietnicitetin kushtetues të shtetit,” përfundon reagimi.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit